Serbët, mirë me të gjithë. Vuçiç do BE-në, Rusinë e Kinën

05/04/2017 00:00

Serbët kanë treguar mbështetje të fortë ndaj politikave të jashtme të balancuara të Aleksandar Vuçiçit si kryeministër, të cilat kërkojnë nga njëra anë integrimin në Bashkimin Europian, ndërsa thellojnë nga ana tjetër marrëdhëniet miqësore me Rusinë dhe Kinën.

Ishin pikërisht këta faktorë, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që ndihmuan triumfin e tij në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

“Ekonomia serbe është përmirësuar goxha vitet e fundit në termat e financës, buxhetit dhe punësimit. Mendoj se forcimi i marrëdhënieve me BE-në, Kinën dhe Rusinë është ndihmesë e madhe për zhvillimin e vendit”, tha një banor i Beogradit.

“Unë i mbështes politikat e jashtme aktuale të Serbisë, që kërkojnë afrim edhe me bllokun europian, edhe me Kinën e Rusinë, sepse mendoj që kjo sjell përfitime”, tha Tania, studente.

“BE-ja nuk ka arsye që t’i kundërvihet zhvillimit të marrëdhënieve serbe me Rusinë dhe Kinën, por edhe këto të fundit nuk e ndalojnë dot Serbinë t’i bashkohet bllokut. Aderimi i saj do t’i sillte përfitime edhe Pekinit dhe Moskës, ashtu siç ndodh me rripin ekonomik të ‘rrugës së mëndafshit’. Anëtarësimi i Serbisë do të jetë një ndihmë më shumë për zhvillime të tilla ekonomike shumëplanëshe”, tha Luschka, ekonomist.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi ka pasur protesta kundër Vuçiçit. Tubuesit janë më së shumti të rinj, që e akuzojnë kryeministrin në largim për vjedhje të votave, e thonë se janë duke demonstruar kundër diktaturës.

Top Channel