Tillerson nuk e ftoi në tango, Lavrov: Mami ma ka ndaluar të kërcej me djem

05/04/2017 00:00

Kur Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson vizitoi selinë e NATO-s javën e kaluar, ai u duartrokit nga homologët e tij për një koment “zbavitës” në lidhje me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili – sipas asaj që tha ai, – nuk është i lejuar të kërcejë tango, sepse në Rusi është presidenti Vladimir Putin që dikton çdo lëvizje.

I pyetur në një konferencë në Moskë gjatë së martës për atë koment, Lavrov dha gjithashtu një përgjigje “dinake”: Mamaja ma ka ndaluar të kërcej me djem!

Megjithatë, Lavrov shtoi me shpejtësi se është i gatshëm të mësojë Tillersonin, i cili është i ri në fushën e shërbimit publik, sesi të sillet në skenën diplomatike.

Nëse Tillerson “ndien se nuk mund të kërcejë në përgjithësi, atëherë ne jemi gati ta ndihmojmë. Ai është një njeri shumë i realizuar, ndaj mund të mësojë shumë shpejt”, tha Lavrov, i cituar nga media ruse.

Lavrov, i njohur për mendjemprehtësinë e tij, kaloi më pas në seriozitet, duke thënë se Rusia mezi pret vizitën e Tillersonit në Moskë.

Vizita, e para në Rusi nga ish-shefi ekzekutiv i “ExxonMobil” që kur u bë Sekretar Shteti, do të zhvillohet në një kohë hetimesh të detajuara mbi përfshirjen e Rusisë në politikën amerikane. Aktualisht, FBI-ja dhe komitetet e dy dhomave të Kongresit po hetojnë mbi kontaktet mes Moskës dhe drejtuesve të fushatës së Donald Trumpit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar.

Trump ishte shprehur vazhdimisht gjatë fushatës se planifikonte të përmirësonte marrëdhëniet me Putinin dhe Rusinë. Por gjatë javëve të fundit, administrata e tij ka mbajtur një qasje të ashpër, ndaj dhe ngrohja e marrëdhënieve zor se mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“Jam i bindur se ne do të bisedojmë sinqerisht mbi të gjitha çështjet në axhendën tonë dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare”, tha Lavrov, duke cituar “problemet ekzistuese dhe të përkeqësuara në Lindjen e Mesme, si dhe në pjesë të tjera të botës, përfshi Europën, për të cilën zor se mund të arrihet progres për sa kohë që Rusia dhe SHBA nuk zhvillojnë një dialog praktik”.

Pas sulmit terrorist ndaj metrosë në Shën Pjetërburg, ku mbetën të vdekur të paktën 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjera, Trump telefonoi Putinin për t’i shprehur ngushëllimet. Sipas Shtëpisë së Bardhë, “Presidenti Trump i ka ofruar mbështetjen e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përgjigjen ndaj sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve përgjegjës. Si Trump edhe Putin ranë dakord se terrorizmi duhet mposhtur me shpejtësi dhe vendosmëri”.

Top Channel