Hungari, miratohet ligji kundër “Universitetit të Sorosit”

04/04/2017 00:00

Hungaria ka miratuar një ligj, që mund të detyrojë një universitet ndërkombëtar të largohet nga vendi.

Parlamenti me 199 deputetë votoi me 123 vota pro dhe 38 kundër, ligjin që vendos kufizime të ashpra mbi universitetet e huaja që operojnë në Hungari. Kjo është beteja më e fundit e shpallur nga kryeministri i djathtë i Hungarisë, Viktor Orban, kundër liberalizmit.

Shënjestër kryesore e ligjit besohet se është Universiteti i Europës Qendrore dhe themeluesi i tij, George Soros. Universiteti anglishtfolës, që ende financohet pjesërisht nga filantropi i lindur në Hungari, renditet mes 200 universiteteve më të mira në botë në 8 disiplina.

Por, partia në pushtet – zyrtarët e së cilës i referohen universitetit si “Universiteti i Sorosit”, – e sheh atë si një bastion të liberalizmit. Kryeministri është një kritik i njohur i OJQ-ve liberale, që pjesërisht financohen nga 86-vjeçari Soros, me të cilin ka një marrëdhënie aspak të ngrohtë.

Ligji mund ta detyrojë Universitetin e Europës Qendrore të largohet nga Hungaria, ku ka zënë një seli të lakmueshme në qendër të qytetit, pasi ai kërkon që universitetet të kenë një kampus në kryeqytet, por edhe në vendin e origjinës.

Universiteti i Europës Qendrore ka vetëm një kampus, atë në Budapest. Ligji po ashtu nuk i lejon universitetet jashtë BE-së t’u japin diploma hungarezëve, pa një marrëveshje mes qeverive kombëtare, në këtë rast me Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht miratimit të ligjit, një zëdhënës i universitetit tha se lufta nuk ka përfunduar dhe se ligji do të kontestohet kushtetueshmërisht.

Top Channel