SHBA, të shtëna në klubin e natës. Një i vdekur, 15 të plagosur

26/03/2017 00:00

Të paktën dy persona kanë hapur zjarr brenda një klubi nate të mbipopulluar në Cincinnati të Shteteve të Bashkuara, në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, duke lënë një të vdekur dhe më shumë se një duzinë të plagosur, në atë që autoritetet vendase e përshkruajnë si skenë kaotike.

Ende nuk është e qartë se çfarë i nxiti të shtënat brenda klubit “Cameo” rreth orës 1:30 të mëngjesit, ndërsa për autoritetet ende nuk dihet se kush janë të dyshuarit e ngjarjes.

“Mbrëmjeve të të shtunave ai klub mbipopullohet. Kemi pasur incidente edhe në të kaluarën këtu, por kjo e sotmja është ngjarje që ka kaluar limitet”, thotë oficerja e policisë Kim Ëilliams.

Disa oficerë ishin duke punuar mbi detajet e sigurisë në këtë klub, të cilët dhanë edhe ndihmën e parë për të mbajtur në jetë personin që gjithsesi nuk i mbijetoi plagëve, tha më tej Ëilliams.

Nga sa mësohet janë plagosur 15 persona, disa prej të cilëve janë transportuar në spitalet më të afërta të zonës përmes autoambulancave.

Autoritetet kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë, por oficerja Ëilliams thotë se shumë nga ata që ishin të pranishëm janë larguar tashmë. “Problemi më i madh kur ke një turmë të madhe dhe dëgjohen të shtëna, është se shumë dëshmitarë zhduken nga faqja e dheut”, tha ajo.

Policia ndërkohë kërkon edhe ndihmën e kujtdo që ka informacione të vlefshme mbi ngjarjen, ndërsa ka nisur të hetojë nëse ka pasur kamera mbikëqyrjeje dhe nëse kanë qenë funksionale përreth vendngjarjes.

Sipas shërbimeve mjekësore, të paktën një person tjetër është në gjendje kritike në Qendrën Mjekësore Universitare të Cincinnatit.

Top Channel