Saarlandi, testi paraelektoral i Merkelit

26/03/2017 00:00

Zgjedhjet shtetërore të kësaj të diele në Saarland të Gjermanisë perëndimore pritet të jenë një test i fortë për konservatorët e Angela Merkel, përkundër ngritjes së rivalëve të qendrës së majtë, kur mbeten 6 muaj përpara se kancelarja të kërkojë mandatin e saj të katërt në votimin kombëtar.

Saarland, një rajon prej më pak se një milion banorësh në kufi me Francën, të cilin kristiandemokratët e Merkelit e kanë udhëhequr prej vitit 1999, është i pari nga 3 votimet rajonale që do të zhvillohen këtë vit, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 24 shtatorit në Gjermani.

Këto po ndiqen me interes të madh si testi i parë elektoral, që kur socialdemokratët e qendrës së majtë shpallën Martin Schulzin si sfidues të Merkelit në muajin janar.

Schulz, ish-president i Parlamentit Europian por një figurë e sapofutur në politikën kombëtare, ka forcuar ndjeshëm partinë e tij nëpër sondazhe, ndërsa ka injektuar edhe një nivel të ri vetëbesimi. Oferta e tij është ajo klasike e së majtës, trajtimi i pabarazisë ekonomike në vend.

Kjo rritje e Schulzit nënkupton se mandati i katërt për Merkelin nuk mund të shihet më si i paevitueshëm, ndërsa ka forcuar edhe garën në Saarland. Guvernatorja konservatore, Annegret Kramp-Karrenbauer deri ditët e fundit shihej si pretendente për të fituar një mandat të ri 5-vjeçar, por rivalja socialdemokrate Anke Rehlinger shpreson ende ta mposhtë atë, me sondazhet që tregojnë se kjo e fundit mund të fitojë shumicën në aleancë me Partinë e Majtë opozitare.

Dy gratë qeverisin aktualisht përmes një “koalicioni të gjerë” të të dy partive të mëdha, një aleancë e ngjashme me atë të Merkelit në nivel kombëtar. Kramp-Karrenbauer është njëra nga 5 guvernatoret konservatoret në 16 shtetet e Gjermanisë. Nëse humbet, ky do të ishte një sinjal shqetësues për fushatën kombëtare dhe dy shtetet e tjera më të mëdha ku do të zhvillohen zgjedhjet në maj, në Schleswig-Holstein dhe në shtetin më të populluar, North Rhine-Westphalia, që të dyja të udhëhequra nga socialdemokratët.

Top Channel