Holandë, Wilders: Bisedimet për koalicion po anashkalojnë 1.3 mln votues

22/03/2017 00:00

Ligjvënësi antiislamik belg, Geert Wilders është ankuar këtë të mërkurë se partitë politike që po zhvillojnë bisedime për formimin e koalicionit të ri qeverisës po mbyllin sytë përpara tij dhe po lënë mënjanë 1.3 milionë votuesit që votuan partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar.

“Ndiej seriozisht keqardhje, – thotë Wilders. – Kjo nuk duhet të ndodhë dhe mendoj se shumë njerëz nuk do të mund ta kuptojnë këtë që po ndodh”.

Wilders foli pasi u takua me ministrin e përkohshëm të Shëndetësisë, Edith Schippers, i cili po zhvillon bisedimet gjatë kësaj jave në lidhje me atë se cilat parti duhen përfshirë në diskutimet për qeverinë e ardhshme belge. Pas votimit të javës së kaluar, të paktën 4 parti do të duhet të bashkojnë forcat për të formuar shumicën në Parlamentin 150 vendesh.

Partia “VVD” e kryeministrit Mark Rutte, tashmë në mandatin e tij të dytë, fitoi shumicën e deputetëve dhe pritet të udhëheqë koalicionin e ardhshëm. “Partia për Liri” e Wildersit u rendit e dyta, por Rutte dhe udhëheqësi i kristiandemokratëve kanë përjashtuar çdo mundësi që të bashkëpunojnë me të.

Të dyja partitë e bënë të qartë përpara votës së 15 marsit, se nuk do të punonin me Wildersin, programi njëfaqësh i të cilit përfshinte edhe angazhimet për deislamizimin e Holandës, duke ndaluar hyrjen e emigrantëve nga kombet myslimane, duke mbyllur xhamitë dhe duke ndaluar librin e shenjtë të Islamit, Kuranin.

Rutte ka thënë gjithashtu se nuk mund t’i besojë Wildersit vendimmarrje të rëndësishme në pushtet, kjo edhe për shkak se Wilders ishte ai që rrëzoi koalicionin e parë të Ruttes në vitin 2012, duke refuzuar miratimin e një pakete masash shtrënguese. Në atë kohë, Wilders nuk ishte pjesë e qeverisë së pakicës të drejtuar nga Rutte, por kishte rënë dakord ta mbështeste atë në votime të rëndësishme.

Bisedimet për koalicionin do të vazhdojnë të enjten me Schippersin që do të takohet me Rutten dhe udhëheqësit e kristiandemokratëve, socialdemokratëve të “D66” dhe socialistëve të Green Left” për të diskutuar mbi formimin e kabinetit qeveritar.

Top Channel