Francë, Fillon vihet nën hetim formal

14/03/2017 00:00

Kandidati i presidencialeve franceze, François Fillon është vendosur zyrtarisht nën hetim nga hetuesit gjatë kësaj të marte, pas dyshimeve për përvetësim të fondeve shtetërore, një lëvizje që mund të fundosë shpresat e politikanit të djathtë për të marrë pushtetin më muajin maj.

Fushata e Fillon është ndjekur nga akuzat për pagesa të majme fiktive ndaj bashkëshortes së tij britanike, Penelope, si dhe dy fëmijëve të tij, që kapnin shifrat e qindra mijëra eurove nga fondet publike për asistimin e tyre, por vet ai refuzoi të tërhiqej nga gara presidenciale.

Ish-kryeministri ishte parashikuar të takohej me hetuesit të mërkurën, por në një lëvizje befasuese, takimi është afruar me 24 orë, me gjasë për t’i hequr Fillonit shqetësimin verbues nga interesimi i jashtëzakonshëm i medieve.

Kandidati 63-vjeçar konservator është vendosur nën hetim formal mbi dyshimet për devijimin e fondeve publike, bashkëpunim në shpërdorimin fondesh, marrjen e fondeve dhe mosdeklarimin e plotë të pasurisë, siç informon një burim nga drejtësia franceze.

Avokati i Fillon nuk ka komentuar aktualisht për këtë lëvizje, ndërsa një reagim nuk ka ardhur as nga vet kandidati presidencial. Dikur pretendent për të fituar zgjedhjet presidenciale, Fillon ka parë t’i bjerë së tepërmi mbështetja nëpër sondazhe, kjo kryesisht falë impaktit që ka pasur skandali i pagesave fiktive, i njohur ndryshe edhe si “Penelope Gate”.

Sondazhet tregojnë vazhdimisht se ai do të rezultojë kandidati i tretë për nga mbështetja në raundin e parë të votimit më 23 prill, gjë që nuk i lejon atij të garojë në balotazhin e 7 majit.

Top Channel