UNICEF: Viti 2016, më i keqi për fëmijët në Siri

13/03/2017 00:00

Viti 2016 ishte më tragjiku për fëmijët në Siri, pasi më shumë prej tyre se kurdo herë tjetër gjatë luftës civile u vranë. Sipas UNICEF-it, në 2016 u vranë 652 fëmijë, gjysma prej tyre në shkollë apo pranë institucioneve arsimore.

Kjo shënon një rritje tragjike me 20% nga viti 2015. Zyrtarë të UNICEF-it thanë se shifra për 2016 përfshin vetëm viktimat e regjistruara zyrtarisht dhe kjo do të thotë se ky numër mund të jetë shumë më i lartë.

UNICEF-i gjithashtu beson se rreth 1000 fëmijë janë rekrutuar që të luftojnë. Kjo shifër është dy herë më e lartë sesa ajo e vitit 2015, ndërsa UNICEF-i sqaron se fëmijët e rekrutuar veçse në vijën e fronit, janë përdorur edhe si xhelatë, kamikazë apo roje burgu.

“Vuajtjet e tyre janë të paprecedent. Miliona fëmijë sulmohen çdo ditë në Siri dhe jetët e tyre shkatërrohen”, deklaroi Geert Cappelaere, shefi rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai shtoi se aktualisht, pas 6 vitesh lufte civile, 6 milionë fëmijë mbështeten vetëm tek ndihma humanitare për të mbijetuar.

Rreth 2,3 milionë fëmijë kanë braktisur vendin, ndërsa më në rrezik janë rreth 2,8 milionë të tjerë që gjenden në zona të vështira për tu arritur. Sipas UNICEF-it, çdo fëmijë në Siri është shenjuar përjetësisht nga lufta që do të lërë pasoja të tmerrshme mbi shëndetin, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre.

Top Channel