Sistemimi i emigrantëve, KE: Vende e BE s’po mbajnë fjalën

02/03/2017 00:00

Vendet europiane kanë pranuar më pak se 10% të 160 000 refugjatëve që premtuan të strehojnë për t’i larguar nga kampet e mjerueshme dhe të mbipopulluara të Italisë dhe Greqisë.

Kjo shkelje e detyrimit të marrë përsipër bëri që komisioni evropian të reagojë duke thënë se nuk do të pranojë më justifikime. Vetëm 13 546 refugjatë janë risistemuar në vendet e BE-së nga Italia dhe Greqia, shifër që përbën 8% të totalit që BE mori përsipër të rishpërndajë në vitin 2015.

Malta dhe Finlanda janë të vetmet shtete anëtare të BE që kanë plotësuar detyrimin e tyre në kuadër të skemës së strehimit që mbyllet në shtator. Komisioneri për emigracionin Dimitris Avramopulos paralajmëroi se së shpejti mund të nisin procedurat për shkelje ndaj vendeve anëtare, përfshirë gjoba kolosale ditore.

“Nuk ka asnjë justifikim që shtetet anëtarë te mos bëjnë pjesën e tyre. është plotësisht e mundur që këta njerëz të largohen nga Italia dhe Greqia deri në shtator. Por kjo varet plotësisht nga vullneti politik dhe përkushtimi i vendeve anëtare”, deklaroi Avramopulos.

Risistemimi i refugjatëve në vendet evropiane aktualisht po bëhet shumë ngadalë dhe megjithëse shkurti shënoi një rekord me thuajse 2000 të tillë, kjo shifër është shumë e vogël në krahasim me 4500 të parashikuar në muaj që duhen zhvendosur. Hungaria, Austria dhe Polonia kanë refuzuar të marrin pjesë në skemë, ndërsa vendet e tjera të BE po lëvizin shumë ngadalë. Komisionieri Avramopuls tha se KE është përpjekur të bindë anëtarët e BE që të bëjnë detyrën, por nëse kjo nuk ndodh, komisioni nuk do të hezitojë të përdorë fuqitë e tij sipas traktateve.

Top Channel