Mbreti i Arabisë Saudite di se si të udhëtojë me stil. Në vizitën e parë të një mbreti saudit pas mëse gjysmë shekulli, Mbreti Salman bin Abdul Aziz al-Saud ka mbërritur të mërkurën në Indonezi për një tur nëntë ditor.

Mbreti do të kalojë disa ditë në Xhakartë, dhe West Java para se të shkojë në ishullin turistik të Balit, e më pas në Malajzi, Kinë, Japoni dhe Maldive. Dhe sipas raportimeve të mediave ai nuk udhëton shumë lehtë.

Adji Gunawan, presidenti i kompanisë së shërbimeve aeroportuale PT Jasa Angkasa Semestar, thotë se Mbreti do të udhëtojë me 505 ton bagazhe, raporton Jakarta Post.

Gjëja më e çuditshme është se në bagazhet e tij përfshihen dy Mercedes Benz S600 dhe dy ashensorë elektrike.  Mund të duket e çuditshme por nuk është hera e parë që ai udhëton me një ashensor. Në 2015 Mbreti instaloi një ashensor në një plazh të Francës, gjë që çoi në protestën e vendasve për instalimin dhe mbylljen e plazhit.

Por gjithë këto përgatitje nuk janë vetëm për Mbretin. Sipas agjencisë indoneziane të lajmeve, Antara, Mbreti Salman udhëton me jo më pak se 1500 persona, përfshi 10 ministra, 800 delegatë, dhe 25 princër, që udhëtuan në Indonezi me 36 fluturime të ndryshme në një periudhë prej tre javësh.

Top Channel