Vrasja e vëllait të Kim, autoret rrezikojnë dënim me vdekje

28/02/2017 00:00

Dy gratë e përfshira në vrasjen e gjysmëvëllait të liderit koreano-verior, Kim Jong nam, do të akuzohen për vrasje.

Kështu ka deklaruar prokurori i përgjithshëm i Malajzisë, i cili ka bërë me dije se, dy femrat, njëra nga Malajzia dhe tjetra nga Vietnami, mund të përballen me dënim me vdekje nëse dënohen.

Pak ditë më parë, në aeroportin e Kuala Lumpurit, ato i hodhën në fytyrë Kim Jong namit një gaz nervin i llojit VX, i cili i shkaktoi atij vdekjen brenda 15 minutash.

Të dyshuarat kanë thënë se e kishin bërë këtë veprim pasi mendonin se ishin pjesë e një shakaje televizive, por kjo hipotezë duket se nuk e ka bindur kryeprokurorin.

“Ato do të akuzohen në gjykatë në bazë të nenit 302 të kodit penal, që përbën një akuzë për vrasje të shoqëruar me dënim me vdekje”, ka thënë zyrtari i lartë.

Ndërkohë, ai shtoi se ende nuk është marrë një vendim ndaj shtetasit korean Ri Jong Chol, i arrestuar gjithashtu në lidhje me vrasjen.

Dy gratë, Doan Thi Huong nga Vietnami dhe Siti Aisyah nga Indonezia, janë mes 10 të dyshuarve të identifikuar nga autoritetet malajzeze në lidhje me vrasjen e bujshme.

Mes të dyshuarve të tjerë përfshihen një zyrtar i vjetër i ambasadës koreano-veriore në Kuala Lumpur dhe një anëtar i stafit të linjës ajrore shtetërore, ku do të udhëtonte Kim Jong nam.

Nga ana tjetër, autoritetet koreano-jugore dyshojnë se 4 të dyshuar janë agjentë koreano-veriorë.

Top Channel