Beteja për Mosulin, mijëra banorë braktisin qytetin

27/02/2017 00:00

Me mijëra civilë, shumë prej të cilëve të plagosur, braktisën të hënën Mosulin për t’u shpëtuar përleshjeve të ashpra që po zhvillohen në Perëndim të qytetit, mes ushtrisë irakiane dhe militantëve të Shtetit Islamik.

Autoritetet irakiane, që i presin dhe i sistemojnë në kampe refugjatësh, thanë se civilët janë në gjendje të rëndë dhe kanë nevojë për gjithçka, që nga ushqimet e deri te medikamentet.

Në përpjekje për të pakësuar fluksin e emigrantëve, ushtria irakiane u bëri thirrje banorëve të zonës perëndimore të Mosulit që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Diçka e ngjashme ndodhi gjatë betejës për zonat jugore, ku fluksi i të larguarve ishte shumë më i ulët se ç’pritej.

Por sipas banorëve të larguar orët e fundit, situata në Perëndim të qytetit është dramatike, pasi veç luftimeve të ashpra, bllokimi i rrugëve të furnizimit i ka lënë pa ushqime, gaz për ngrohje apo ilaçe.

Ndërkohë, ushtria irakiane njoftoi se ka marrë kontrollin e një prej urave mbi lumin Tigër, që ndan qytetin më dysh dhe, pas riparimit të saj, pritet vazhdimi i ofensivës për zonën perëndimore të Mosulit.

Ekspërtët thonë se kjo betejë pritet të përkeqësohet shumë, pasi dyshohet se në zonën perëndimore janë strehuar mijëra militantë të Shtetit Islamik që nuk kanë ku të shkojnë dhe do të luftojnë deri në fishekun e fundit, mes rreth 750 mijë civilëve që kanë mbetur të bllokuar aty.

Top Channel