Agjentët koreano-jugorë: Diktatori fqinj vrau vëllain e tij

27/02/2017 00:00

Diktatori koreano-verior Kim Jong-un perceptohet gjerësisht si i dyshuari kryesor për vrasjen e vëllait të tij, për vet historitë e eliminimeve që ai ka urdhëruar që kur mori pushtetin.

Këtij perceptimi i shtohen raportet e inteligjencës koreano-jugore, sipas së cilës dy prej ministrive kryesore në aparatin shtetëror komunist u ngarkuan me detyrën për të vrarë Kim Jong-nam.

Disa deputetë në Seul, para të cilëve raportuan krerët e inteligjencës së vendit, thanë se Ministria koreano-veriore e Sigurisë Kombëtare dhe ajo e Jashtme rekrutuan një prej femrave të dyshuara si vrasëset e Jong-nam.

“Vrasja e Kim Jong-nam ishte një akt terrori sistematik i urdhëruar nga Kim Jong-un. Operacioni u krye me dy grupe vrasjeje dhe një grup të tretë mbështetjeje”, deklaroi deputeti koreano-jugor Kim Byung-kee gjatë një konference për shtyp.

Në fakt, vrasja e vëllait të diktatorit është e denjë për komplote shtetërore, pasi ai u eliminua me gaz nervor “VX”. Dy femra iu afruan, ndërsa ai gjendej në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpurit, e njëra prej tyre i hodhi një substancë të dyshimtë në fytyrë.

Kim ndërroi jetë rrugës për në spital 20 minuta më vonë, ndërsa autoritetet malajziane konfirmuan se ai u vra me gazin “VX”. Tre të dyshuar janë arrestuar për vrasjen e Jong-nam, përfshirë dy femra nga Vietnami dhe Indonezia, që u filmuan në aeroport duke e sulmuar atë.

Top Channel