Francë, pranga yjeve të “rugby” në një bastisje antidrogë

25/02/2017 00:00

Dy lojtarë “rugby”, Ali Williams nga Zelanda e Re dhe James O’Connor nga Australia, janë arrestuar në Francë gjatë një operacioni anti-drogë të policisë.

Dy sportistët janë kapur në flagrancë këtë të shtunë duke blerë kokainë në afërsi të shëtitores Champ Elysees. Williams, 35 vjeç, luan për ekipin “Racing 92”, ndërsa O’Connor për “Toulon”.

Tetorin e kaluar, dy lojtarë të tjerë nga Zelanda e Re, edhe ata të ekipit “Racing 92” u akuzuan dhe më pas u çliruan nga akuzat për përdorim dopingu.

Të ndaluarit janë kampionë në Francë dhe bashkë me ta në pranga kanë rënë edhe dy shpërndarës. Në një reagim për shtyp, “Racing 92” ka deklaruar se ka pezulluar përkohësisht Williams.

“Nëse hetimi konfirmon zotërimin e kokainës dhe blerjen e saj, atëherë kjo jo vetëm do të ishte kundër ligjit por edhe një shkelje serioze e etikës sonë”, ka deklaruar klubi.

Williams ka fituar 77 ndeshje me kombëtaren e Zelandës së Re në vitet 2002-2012, ndërsa O’Connor ka luajtur në 44 ndeshje të përfaqësueses australiane në vitet 2008-2013.

Top Channel