Bregu: Jo bojkot të zgjedhjeve. Janë garanci për opozitën

24/02/2017 00:00

Sapo është kthyer nga vizita në Shtetet e Bashkuara, Majlinda Bregu i është bashkuar protestës së opozitës përballë Kryeministrisë.

Megjithëse një kritike e kryetarit Basha, ajo nuk ka dilema për mbështetjen e kauzës së protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, por lë të kuptohet se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është e mirëpritur.

“Do të mbështes deri në fund këtë kauzë të drejtë të opozitës jo vetëm për protestë, por për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk besoj që ka nevojë që kauza për zgjedhje të lira e të ndershme të jetë një kauzë që të ndahet me partnerë të tjerë politikë. Për mua është kauza e opozitës. Ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë”, deklaron Bregu.

Sipas deputetes demokrate, teza e bojkotit të zgjedhjeve nuk duhet të jetë një opsion për opozitën. “Ndërkohë që protesta vazhdon, duhet të ketë punë intensive me strukturat e PD. Nuk më duket se është alternativë bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare. Mbërritja tek zgjedhjet parlamentare me garanci për opozitën është domosdoshmëria numër një”, thotë Bregu.

Pasditen e së premtes, protestës së opozitës iu bashkuan të rinj që kanë studiuar jashtë vendit dhe disa artistë, mes të cileve edhe tenori Agim Hushi, i njohur në politikë si socialisti që kandidoi përballë Sali Berishës në Kavajë. Kryetari Basha e përdori këtë rast për të treguar dallimin mes tij dhe Ramës.

“Kjo republikë e turpit vazhdon të mbajë Armando Prengën deputet, jo me një, por me 9 identitete, sepse Edi Rama do kriminelët në Parlament. Mbështetja jonë, fuqia jonë janë qytetarët shqiptarë dhe ata më të mirët. Fuqia e Edi Ramës janë kriminelët dhe trafikantët”, deklaroi Basha.

Top Channel