Siri, 51 viktima nga shpërthimi i automjetit mes civilëve

24/02/2017 00:00

Shpërthimi i një automjeti ka vrarë të paktën 51 persona në fshatin e kontrolluar prej rebelëve pranë al-Bab në Siri.

Lajmi njoftohet nga burime në rajon, si dhe organizata monitoruese. Shpërthimi, i marrë përsipër nga militantët e Shtetit Islamik, shkatërroi një postbllok të rebelëve në Sousian, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup mbikëqyrës i luftës civile në Siri me seli në Londër.

Fshati është 8 km në veriperëndim të al-Babit, qytet nga ku rebelët e mbështetur nga Turqia zmbrapsën militantët e ISIS-it gjatë së enjtes. Turqia thotë se rebelët kanë tashmë nën kontroll të gjitha rajonet përreth.

“Aktivitetet që vazhdojnë janë ato të pastrimit të zonave nën kontrollin e rebelëve nga pengesat, minat dhe eksplozivët artizanalë”, thanë zyrtarë të ushtrisë siriane.

Si gjithmonë, Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi përmes një deklarate të publikuar në median e organizatës xhihadiste.

Në momentin e shpërthimit të bombës, shumë civilë ishin mbledhur aty për të kërkuar leje për rikthimin në al-Bab, sipas asaj që thotë agjencia e lajmeve e opozitës, “Qasioun”.

I ndodhur në verilindje të Aleppos, al-Babi ka rreth 100 mijë banorë në qendër dhe rreth 50 mijë të tjerë në periferi. Ai ra në duart e rebelëve sirianë në pranverën e vitit 2012, por që prej fillimit të vitit 2014 ka qenë nën kontrollin e ISIS, duke u bërë kështu strehë e qindra xhihadistëve të huaj dhe familjarëve të tyre.

Top Channel