Gjermani, dritë jeshile për dëbimet e shpejta të azilkërkuesve

23/02/2017 00:00

Qeveria gjermane i dha dritën jeshile rregullores për dëbimet e shpejta. As protestat e aktivistëve për të drejtat e njeriut e as kundërshtimet e opozitës nuk e bindën kabinetin federal të zbuste qëndrimin e tij.

Nga ky moment, azilkërkuesit e refuzuar do të dëbohen më shpejt. Në bazë të vendimit të ekzekutivit në Berlin, arresti për të siguruar largimin mund të zgjatet në 10 ditë, me qëllimin të pengojë azilkërkuesit t’i shpëtojnë dëbimit. Është parashikuar gjithashtu një zgjatje e ndalimit në polici përpara deportimit për personat e konsideruar të rrezikshëm, që do të thotë se mendohen të aftë të kryejnë atentate ose vepra penale të tjera të rënda.

Veç kësaj, në bazë të projektligjit, të huajt e vënë në shënjestër për deportim do të mund të mbikqyren përmes prangave elektronike në këmbë.

Më herët, u njoftua se në kuadër të këtyre masave, Zyrës Federale të Emigracionit dhe Refugjatëve do t’i lejohet të kontrollojë në raste të caktuara celularët e azilkërkuesve e të sqarojë identitetin e tyre. Kush jep të dhëna të gabuara, duhet të përgatitet për kufizimin e lirisë së lëvizjes. 

Riatdhesimet duhet të realizohen mundësisht që nga qendrat e para të pranimit të refugjatëve. Një “Qendër për Mbështetjen e Kthimit (ZUR)” e Federatës dhe e Landeve do të lehtësojë kthimet e përbashkëta. Sipas të dhënave të Zyrës së Emigracionit, në 31 dhjetor nga Gjermania duhet të largoheshin me detyrim 207 000 vetë.

Top Channel