Rritet punësimi në Lezhë, 1.000 të larguar nga ndihma ekonomike

22/02/2017 00:00

Autoritetet në Lezhë thonë se shifrat e punësimit janë rritur vitin e kaluar. Mbi 1.000 persona të regjistruar si punëkërkues pranë zyrës së punës janë larguar nga skema, duke u punësuar në biznese të ndryshme, kryesisht fasoneri.

Por pavarësisht shifrave zyrtare, qytetarët flasin për një tjetër realitet.

“10 vite i kam në Greqi, ku kam punuar me letra në ndërtim. Ndërsa që prej 2011-s kur jam kthyer, jam i papunë këtu në Shqipëri”, thotë Preng Ndreca, qytetar.

Ky qytetar, si shumë të tjerë në Lezhë, jeton me një asistencë prej 1.000 lekësh për person në familje.

Me mbi 200 persona është lista e atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Bashkia e Lezhës, ndërsa kërkesat vazhdojnë të jenë të shumta.

“Në krahasim me vitin 2015, nga 34.4 milionë, në vitin 2016 Qarku i Lezhës ka përfituar 41.4 milionë lekë. Janë punësuar rreth 415 punëkërkues të papunë, në një kohë kur gjatë vitit 2015 ishin punësuar vetëm 223. Sa i përket ndihmës ekonomike, bashkia na ka paraqitur sivjet një kontigjent mbi 250 familjesh më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Kjo tregon se po stimulohen njerëzit drejt dembelizmit dhe ndihmës ekonomike, në një kohë kur unë kam sot në Qarkun e Lezhës mbi 300 vende të lira pune nëpër biznese”, tha Fatmir Delishi, nga Zyra e Punës.

Qarku i Lezhës, i përbërë nga rrethet e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, ka kapacitet për punësim në disa sektorë, si në turizëm, peshkim, blegtori e bujqësi, por më të kërkuarat mbeten vendet e punës në institucionet shtetërore.

Top Channel