Arrestimet në burgje, Iliaz Labi merr statusin e bashkëpunëtorit

22/02/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ofruar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë ish-Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, i cili ka rrëfyer pranë organeve të hetimit kundër shefit të tij, Artur Zoto.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u arrestua pas kësaj dëshmie, që e implikonte për dyshimet e aferave të korrupsionit në lidhje me tenderin e ushqimeve për të bugosurit.

Labi, i cili mbahet në paraburgim prej muajsh për llogari të gjykimit të çelur për këtë aferë, ka pohuar se ka qenë shefi i tij ai që i ka kërkuar të takohet me operatorët konkurrues për tenderin, duke i thënë që të takohej me shtetasin Ylber Kalaja, i cili po ashtu ndodhet i arrestuar që prej qershorit 2016.

Por, ndërkohë, edhe Kalaja nga ana e tij më herët ka rrëfyer se në këtë skemë korrupsioni gjendej i përfshire zv/drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, që, sipas tij, për çdo tender përfitonte një shumë të caktuar.

Ish-drejtori i dorëhequr nga detyra, Artur Zoto, nuk ka dalë ende para Gjykatës së Krimeve të Rënda, që vendosi në mungesë arrest me burg për dyshimet e korrupsionit.

Top Channel