Serbët e duan BE-në dhe, nga sa deklaroi presidenti Tomislav Nikoliç, janë gati të përmbushin të gjitha kushtet e aderimit, me përjashtimin e atij më nevralgjikut: njohjes së Kosovës.

“Bashkimi Europian është një formë organizimi, në të cilin duhet të bëjë pjesë dhe Serbia”, tha Nikoliç për Radio-Televizionin e Serbisë.

Asnjë zyrtar i bllokut – sipas tij, – me përjashtimin e Komisionerit të Zgjerimit Johannes Hahn, nuk ia ka përmendur qartazi Beogradit këtë kusht.

Nikoliç pohoi se Hahn ia ka bërë të qartë se Serbia nuk mund të ecë përpara drejt anëtarësimit, nëse nuk nënshkruan me Kosovën një marrëveshje të fqinjësisë së mirë. Një lëvizje e tillë, për kreun e shtetit serb, nënkupton praktikisht njohjen e Pavarësisë.

“Edhe pa një politikë të jashtme të përbashkët me Prishtinën, ne nuk bëhemi dot pjesë e bllokut”, rrëfen Nikoliç.

Presidenti serb shtoi më tej se duhet menduar gjithashtu sesi do të reagojnë parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke përfshirë këtu shtetet me peshë kyçe në vendimmarrje, si Gjermania, por kjo – nga sa pohon ai, – do të varet shumë edhe nga mënyra sesi do t’i përmbushë Beogradi kriteret, e si mund t’i hapë të gjithë kapitujt.

Top Channel