Australi, avioni rrëzohet mbi qendrën tregtare, 5 të vdekur

21/02/2017 00:00

Katër turistë amerikanë dhe piloti i tyre australian humbën jetën nga përplasja e avionit të vogël, me të cilin po udhëtonin mbi një qendër tregtare pranë Melbournit.

Përmasat e fatkeqësisë mund të kishin qenë shumë më të mëdha, nëse qendra në ato momente do të kishte qenë e hapur për publikun. Incidenti ndodhi rreth orës 9 të mëngjesit me orën lokale, ndërsa dyert e godinës duhej të çeleshin një orë më vonë.

“Kjo e sotmja është vërtet një ditë shumë e trishtë për shtetin e Victorias. Për shkak të aksidentit më të keq ajror të regjistruar këtu prej 30 vitesh, kanë gjetur vdekjen disa persona”, tha Kevin Andrews, kryeministër i shtetit të Victorias.

Hetimet mbi ngjarjen vazhdojnë, por policia ka zbuluar paraprakisht se nuk bëhet fjalë aspak për gabim njerëzor, por për një defekt fatal të motorit. Dëme të konsiderueshme ka pësuar dhe godina, mbi të cilën ra avioni dy motorësh.

Ai ishte nisur nga qyteti i dytë më i populluar i vendit, drejt ishullit King në ngushticën Bass.

“Isha ulur e po pija një kafe kur pashë një avion të vinte drejt e këtu. Nuk e di nga mbiu, por kaloi ndoshta vetëm një metër sipër çatisë. Vrapova pas tij dhe dëgjova një zhurmë të tmerrshme. Kishte flakë e tym gjithandej”, tha një dëshmitar.

Sipas autoriteteve vendase, incidenti nuk i ka prekur fluturimet në aeroportin kryesor të Melbournit, ndërsa ai i Essendonit, i përdorur kryesisht nga avionët e vegjël, vazhdon të mbetet i mbyllur.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel