Nënadmirali Harward refuzon Trumpin për postin e këshilltarit

17/02/2017 00:00

Nënadmirali Robert Harward e refuzoi ofertën e presidentit Donald Trump për të marrë postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, pas dorëheqjes së Michael Flynn.

Harward ishte një nga 3 emrat më të lakuar për këtë post, por mediet amerikane lënë të kuptohet se ai këmbëngulte të sillte me vete ekipin e tij.

Njoftimi erdhi vetëm pak orë pasi Trump i mohoi me forcë komentet në shtypin vendas, se Shtëpia e Bardhë është në kaos, duke këmbëngulur se administrata e tij ecën si një “makinë e porsadalë nga mekaniku”.

Flynni, ish-gjeneral lejtnant, u detyrua të largohej nga detyra mes pretendimeve se kishte diskutuar sanksionet me ambasadorin e Rusisë në Uashington, në kohën kur Trump nuk e kishte bërë ende betimin si president, që do të thotë se as ai vet nuk ishte konfirmuar ende si këshilltar.

E ndërsa vëmendja politike është spostuar te ky ngërç i ri, emigrantët në Shtetet e Bashkuara nuk kanë harruar hallin e tyre të vjetër. Restorantet dhe biznese të tjera në mbarë vendin i mbyllën dyert të enjten, e mijëra demonstrues dolën nëpër rrugë për të protestuar ndaj politikave të emigracionit të Trumpit.

Aktivistët iu kërkuan emigrantëve të mos shkojnë në punë, të shmangin blerjet dhe ndjekjen e leksioneve në atë që e quajtën “Dita pa emigrantë”. Qëllimi i nismës ishte të theksohet roli i rëndësishëm që këta njerëz luajnë në shoqërinë amerikane. Sipas të dhënave të censusit, rreth 13% e popullsisë amerikane, që do të thotë më shumë se 40 milionë vetë, kanë lindur jashtë kufijve.

Top Channel