Basha në Shkodër: Frika ka vdekur. Më 18 shkurt në Tiranë

15/02/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte këtë të mërkurë në Shkodër, ku u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen në protestën e 18 shkurtit në Tiranë.

“Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë. Njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen, njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt”, u tha Basha të rinjve.

Nga qyteti verior, Basha ka dhënë mesazhin që sipas tij po dëgjohet në cdo çep të Shqipërisë. “Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër dhe se kurajoja qytetare do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën më datë 18 Shkurt në Tiranë”, u shpreh Basha.

Më tej kryetari i PD informoi të rinjtë se ka një projekt që siguron shanse për ta, për punësim e mirëqënie, në mënyrë që askush të mos e braktisë vendin por ta ndërtojë të ardhmen këtu. Projekti, saktësoi Basha, ofroi stazh të paguar për 10 mijë të diplomuar në vit si dhe mbështetje të veçantë për idetë dhe kreativitetin.

“Por që të ketë një qeverisje për të rinjtë, për qytetarët, për njerëzit dhe jo për një grusht të korruptuar qeveritarësh duhen mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e lira e të ndershme sigurojnë ndryshimin e madh në vend”, theksoi Basha.

Ai shtoi se, garancia më e madhe e ndryshimit të Shqipërisë janë të rinjtë, “dhe pikërisht rinisë i frikësohet më shumë kasta e korruptuar dhe kriminale që është në pushtet, që kërkon të ndalojë ndryshimin, duke mos lejuar zgjedhje”, shtoi Basha.

Top Channel