Trump pret Netanyahun mes shqetësimit të palestinezëve

15/02/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump përgatitet të presë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë kësaj të mërkure, në bisedimet që mund të ndryshojnë konturet e politikës së ardhshme ndaj Lindjes së Mesme, ndërsa palestinezët paralajmëruan Shtëpinë e Bardhë të mos braktisin objektivin e tyre për një shtet të pavarur.

Për dekada të tëra, ideja e krijimit të një Palestine, ku palestinezët të mund të jetojnë në paqe së bashku me Izraelin, ka qenë një qëndrim themelor i Shteteve të Bashkuara, edhe pse negociatat e fundit për këtë u ndërprenë në vitin 2014.

Por në një kthesë të papritur e të bujshme, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të martën se, paqja jo domosdoshmërisht nënkupton edhe krijimin e shtetit palestinez, ndërsa Trump nuk do të përpiqet të “diktojë” një zgjidhje.

Netanyahu, i angazhuar por me kushte ndaj objektivit për dyshtetësinë në një fjalim të mbajtur në vitin 2009, e ka përsëritur vazhdimisht këtë mundësi prej atëherë. Por ai ka folur gjithashtu edhe për një opsion me “një shtet më pak”, duke sugjeruar se mund t’u ofrojë palestinezëve një autonomi të zgjeruar të ngjashme me shtetësinë, por pa sovranitet të plotë.

Palestinezët reaguan të alarmuar ndaj mundësisë së Uashingtoni mund të tërheqë mbështetjen e tij për një komb të pavarur palestinez.

“Nëse administrata e Trumpit refuzon këtë politikë, kjo do të shkatërronte mundësitë për arritjen e paqes dhe do të minonte interesat amerikane, sikurse edhe qëndrimin e besueshmërinë e tyre tek të huajt”, tha Hanan Ashrawi, një zyrtare e lartë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), duke iu përgjigjur komenteve të zyrtarit amerikan.

“Akomodimi i elementëve ekstremistë dhe të papërgjegjshëm në Izrael dhe në Shtëpinë e Bardhë nuk është mënyra e duhur për të bërë një politikë të jashtme të përgjegjshme”, tha më tej ajo në një deklaratë. Husam Zomlot, këshilltar strategjik i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se palestinezët nuk kanë marrë asnjë sinjal zyrtar për një ndryshim të qëndrimit amerikan në këtë çështje.

Për Netanyahun, bisedimet me Trumpin do të ishin një mundësi e mirë për të rifreskuar marrëdhëniet, pas një periudhe të tensionuar me demokratin Barack Obama. Kryeministri, i cili gjendet nën hetim me akuzat për abuzim me pushtetin në Izrael, kaloi pjesën më të madhe të ditës së martë duke folur me këshilltarët në Uashington, në përgatitje të bisedimeve. Zyrtarët thanë se nuk donin të krijonin sërish boshllëqe mes SHBA-ve dhe Izraelit, gjatë takimit të paracaktuar prej dy orësh në Zyrën Ovale.

Top Channel