Si u shkatërrua ëndrra saudite për të dominuar vendet arabe

11/02/2017 00:00

Prej thuajse gjysmë shekulli, Arabia Saudite është përpjekur që me paratë e naftës të vendosë veten si vendi dominues në botën arabe dhe në shtetet e tjera islamike, por në harkun kohor të dy viteve, këto përpjekje u shkrumbuan thuajse në të gjitha frontet.

Një analizë e “The Independent” vë në dukje se që prej kohës kur kurora i kaloi Mbretit Salman, në janar të vitit 2015, Arabia Saudite u bë më agresive në politikën e saj të jashtme; nisi të mbështesë më fort forcat rebele në Siri, e po ashtu u përfshi direkt në konfliktin në Jemen.

Por ajo që nuk parashikoi Riadi ishte rezistenca. Në rastin e parë, sauditët ndoshta të bindur se rebelët do të mposhtnin Assadin, në 2015 shtuan ndihmën monetare dhe ushtarake për rebelët, duke tejkaluar në këtë drejtim Katarin. Kjo detyroi Presidentin sirian që të shtrijë dorën për ndihmë gjithnjë e më shumë tek Moska dhe ajo nuk e prisnin sauditët ishte ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Rusisë në Siri dhe mungesën e gatishmërisë së Shteteve të Bashkuara për ta kundërshtuar këtë ndërhyrje.

Sa i takon Jemenit, beteja është e pabarabartë. Në të janë përballë rebelët e varfër të Jemenit jugor, të mbështetur nga Irani, me forcat e ish-Presidentit Saleh të mbështetura fuqimisht nga Arabia Saudite, e cila po angazhohet me bombardime ajrore dhe ndërhyrje të tjera tokësore në vendin më të varfër të botës arabe.

Sauditët prisnin që Huthit e mbështetur nga Teherani të mposhteshin shpejt. Por kanë kaluar disa muaj dhe rezistenca sa vjen e bëhet më e ashpër. Pasojat i vuan popullsia e varfër jemenase, ku sipas OKB-së, 25 milionë banorë në këtë vend kanë pamjaftueshmëri në ushqime dhe akses në ujë të pijshëm.

Pas gjithë këtyre, euforia e sukseseve të vogla fillestare në përfshirjet në vendet në rajon, i la vendin kritikave. Princi i kurorës, Mohammed Bin Salman, njeriu më i fuqishëm sa i përket vendimarrjes në Riad dhe ministër i Mbrojtjes, akuzohet për vendime të nxituara në politikën e jashtme, që kanë prodhuar dhe po prodhojnë një situatë të pakendshme dhe me pasoja për Arabinë Saudite.

E dështimit në këto dy fronte, i shtohet edhe një i tretë. Në mbledhjen e fundit të OPEC, sauditët propozuan uljen e prodhimit bruto të naftës, ndërsa Irani rritjen e këtij prodhimi. Në fund, ajo që u vendos ishte rritja e prodhimit, që Riadi thotë se do të kundërshtojë.

Top Channel