Me maska e armë, grabiten dhjetë thasë me valutë

09/02/2017 00:00

Për herë të tretë në pak më shumë se një vit, një grabitje e armatosur ndodh pranë Rinasit. Makina me para është goditur nga mjeti i grabitësve, të cilët me mjete të forta shpërthyen dyert, rrahën policët privatë dhe rrëmbyen paratë.

Burime i thanë Top Channel se në furgon kanë qënë dhjetë thasë me valutë.

Grabitësit kanë përfituar nga fakti se në vendin ku dogjën automjetet nuk ka patur dëshmitarë okulare. Askush nuk ka dëshmuar në polici se me çfare automjeti u larguan ata nga Tapiza.

Pavarësisht se të djegura, automjetet e përdorura nga grabitësit janë shpresa e ekspertëve të kriminalistikës për të gjetur gjurmë gishtash në to. Duke qenë se grabitësit janë të shumtë, të paktën pesë, mundet që gjatë një ekspertize të gjatë të gjendet ndonjë provë që do të dërgojë drejt identifikimit të ndonjërit prej tyre.

Gjurmë po kërkohen edhe në automjetin që u grabit rreth orës 14:00. Dy automjetet e transportit të valutës të një banke të nivelit të dytë, ishin duke udhëtuar drejt Rinasit, kur një automjet tip “Jeep” goditi në gomën e krahut të majtë të automjetit të parë duke e ndalur atë në vend.

Automjeti në vendin e ngjarjes ka edhe shenja të plumbave, ku duket qarte se qitja e kryer me kallashnikov e ka thyer edhe xhamin antiplumb.

Të dyja mjetet janë rrethuar nga grabitësit me maska dhe të armatosur. Duket se me anë të qitjeve të drejtpërdrejta, grabitësit dhanë ndaj policëve privatë shenjën se nëse nuk dorëzonin paratë mund të vriteshin.

Pasi kanë dhënë këtë provë, ata e kanë patur më të thjeshtë të operojnë gjatë grabitjes së tyre, duke marrë dhjetë thasët e kartmonedhave dhe të largohen me shpejtësi që aty.

Banka ende nuk ka bërë të ditur shifrën sesa është grabitur as në organet e akuzës. 

Policia, e cila u lajmërua nga dëshimtarët në vendin e ngjarjes, bllokoi  rrugën që të çon në Rinas duke i kontrolluar të gjitha automjetet një nga një.

Forca të shumta policie kryen patrullime në të gjitha rrugët që të çojnë në Rinas, ndërsa disa helikopterë u ngritën në ajër. Në aksionin për kapjen e grabitësve janë përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Pesë punonjësit e policisë private u arrestuan për shpërdorim detyre, pasi sipas rregullores ata duhet të kishin qëlluar në rastin e grabitjes. 

Në dhjetor 2015, në të njëjtin aks rrugor u grabitën 3.5 milionë euro. Kjo dosje u mbyll me gjashtë policë privatë të dënuar për shpërdorim detyre, ndërsa dosja u veçua për pesë grabitësit, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Grabitja tjetër është edhe ajo e 900 mijë eurove brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit. Edhe për këtë dosje u arrestuan dhe janë nën hetim një pjesë e madhe e policisë private dhe ata të ruajtjes së sigurisë së aeroportit.

Por për këtë ngjarje është arritur të gjendet një provë shkencore për një nga të dyshuarit, i cili është shpallur në kërkim.

Top Channel