Synonte Kremlinin, opozitari rus Navalny shpallet sërish fajtor

08/02/2017 00:00

Kryeopozitari i Rusisë, Alexei Navalny është shpallur fajtor për përvetësim, sipas medieve lokale, edhe pse gjykatësit janë ende duke lexuar verdiktin e tyre në gjyqin që zhvillohet në qytetin e Kirovit.

Për të, edhe një dënim me kusht do të përbënte problem, pasi do ta pengonte të kandidonte për president vitin e ardhshëm.

Navalny thotë se çështja ndaj tij është e motivuar politikisht, pasi ka të bëjë me kohën kur ai shërbente si këshilltar i guvernatorit të Kirovit.

Ky i sotmi është një rigjykim, pasi Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut doli në përfundimin se atij nuk i ishte bërë një gjykim i drejtë në procesin e parë të vitit 2013.

Prokurorët i kanë kërkuar gjykatësve t’i japin atij një dënim me pezullim 5-vjeçar.

Navalny, një politikan 40-vjeçar, njihet për fushatën e tij antikorrupsion, që pati në shënjestër zyrtarë të lartë me lidhje të afërta me Kremlinin. Ai shprehet se gjyqi është thjesht një përpjekje për ta mbajtur atë larg politikës.

Kohët e fundit ai ka përshkallëzuar aktivitetin politik, pasi njoftoi vitin e kaluar mbi planet për të garuar për Presidencën në vitin 2018. Putin, në fakt, lejohet me Kushtetutë që të garojë për një mandat të dytë 6-vjeçar, por ende nuk ka thënë zyrtarisht nëse do të rikandidojë.

Rritja e Navalnyt si një forcë e fuqishme në politikën ruse nisi në vitin 2008, kur ai nisi të shfrytëzonte blogjet mbi neglizhencën dhe korrupsionin në disa prej korporatave më të mëdha shtetërore të Rusisë. Ai e përshkroi partinë “Rusia e Bashkuar” të presidentit aktual si “parti e banditëve dhe hajdutëve”, një frazë që përqafohet nga shumë vetë në Rusi.

Ai kandidoi për kryebashkiak të Moskës në vitin 2013 dhe siguroi më shumë se çerekun e votave, duke surprizuar shumëkënd.

Por cilat janë akuzat e ngritura ndaj tij në vitin 2013? Navalny u shpall fajtor për udhëheqjen e një grupi që përvetësoi rreth 16 milionë rubla nga kompania shtetërore e drurit “Kirovles”, teksa shërbente si këshilltar i guvernatorit të Kirovit, Nikita Belykh. Ndërkohë, ripërsëritjen e gjyqit ai e konsideron si “kopje ekzakte” e procesit fillestar.

Top Channel