Brazil, rendi i kalon ushtrisë pas grevës së policisë

08/02/2017 00:00

Më shumë se 1.000 ushtarë u dislokuan në qytetin brazilian Vitoria të shtetit Espirito Santo, pasi policia u hodh në grevë, diçka që solli një valë të ashpër krimi që shkaktoi dhjetëra viktima.

Në formën e grevëthyesve, ushtarët tashmë patrullojnë rrugët e qytetit dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bashkë me Gardën Kombëtare ata do të qëndrojnë atje derisa të rivendoset rendi.

Pasi policia ndali patrullimet për shkak të një debati për pagën, kriminelët nisën të bënin ç’të donin në qytet. Në televizoonet braziliane nuk mungojnë skenat e plaçkitjeve, grabitjeve dhe vjedhjeve të makinave që bëheshin fare hapur.

Pavarësisht mbërritjes së ushtrisë në qytet, bankat, shkollat dhe qendrat publike shëndetësore vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Shërbimi urban me autobusë ka rinisur, por nuk deri në mbrëmje dhe jo gjatë natës. Mediet raportojnë se ushtria po vendos rendin me grusht të hekurt, por po përballet me të afërmit e policëve në grevë dhe përleshjet nuk kanë munguar.

Qindra njerëz në mbështetje të policisë kanë protestuar, pasi vet agjentëve kjo nuk u lejohet. Oficerët e policisë kërkojnë pagë më të mirë, përfshirë shpërblim për punën jashtë orarit. Sipas medieve braziliane, mbi 70 persona janë vrarë në qytetin Vitoria që kur nisi greva.

Top Channel