Trump mbron sërish Putinin: Shtetet e Bashkuara nuk janë të pafajshme

05/02/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur shenjën e barazimit mes veprimeve të shtetit që drejton dhe regjimit autoritar të presidentin rus Vladimir Putin, në një intervistë për “Fox News”.

Ndaj pohimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, se e respektonte homologun rus, prezantuesi Bill O Reilly ka replikuar se Putin ishte një vrasës. Por kjo duket se nuk i ka pëlqyer aleatit më të ri të numrit një të Kremlinit.

“Në botë ekzistojnë shumë vrasës! Edhe ne kemi një listë të gjatë vrasësish. Çfarë mendoni ju se vendi ynë është i pafajshëm?”, tha Donald Trump.

I thënë nga goja e një presidenti amerikan, ky pohim tingëllon tejet i pazakontë. Gjithsesi miliarderi i kthyer në politikan, deklarata të ngjashme ka bërë edhe në të kaluarën. Në dhjetor të vitit 2015, ai tha në një intervistë se Putin ishte një udhëheqës shumë më i mirë, nga ata që kishte pasur Amerika.

Komentet e fundit të Trumpit kanë nxitur polemika të ashpra. “Nga njëra anë Trump duket se e mbështet pohimin e O Reillyt, që e quan vrasës shefin e Kremlinit, ndërsa nga ana tjetër ai denigron vendin, si askush tjetër më parë”, shkruan në “Twitter” Bret Stephens, analist i “Wall Street Journal”.

Demokrati Adam Schiff, që shërben në Komitetin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve i ka quajtur të rreme pretendimet e Trumpit.

“Është hera e dytë që e mbron Putinin. Si nuk e kupton dëmin që po i bën vendit dhe dhuratën që i ofron propagandës ruse”, ishin komentet e tij.

Gjatë intervistës, Trump pohoi gjithashtu se e respekton presidentin rus, por kjo sipas tij nuk nënkupton se do të shkojë mirë me të. Megjithatë, për numrin një të Uashingtonit, Rusinë është më mirë ta kesh aleate, sesa armike.

Top Channel