“Shqipëria pa armë”, vijon dorëzimi vullnetar i armëve e municioneve

05/02/2017 00:00

Në një komunikatë për mediet, Policia e Shtetit ka njoftuar se përgjatë 24 orëve të fundit janë dorëzuar në të gjithë vendin 31 armë zjarri, 8.900 fishekë, 10 granata, si dhe municione të tjera luftarake.

Megjithatë, krahas procesit të dorëzimit vullnetar nga banorët në të gjithë vendin, policia po zhvillon edhe takime sensibilizuese me kryetarët e bashkive, administratorët e njësive administrative, si dhe krerët e lagjeve apo fshatrave.

Përtej këtyre, gjatë së shtunës ka pasur edhe një tjetër lloj fushate ndërgjegjësuese: ajo e trokitjes derë më derë, që është zhvilluar në zonën e Lunxhërisë, ku ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, u janë bashkuar studentëve të Universitetit “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës.

Në këtë nismë të fundit, policia është mbështetur nga nxënës e studentë, pushteti vendor dhe mbarë komuniteti.

Në fund, Policia e Shtetit falënderon të gjithë banorët për bashkëpunimin dhe dorëzimin vullnetar të armëve dhe municioneve që mbanin pa leje, si dhe të gjithë ata që janë bërë pjesë e sensibilizimit të nismës “Shqipëria pa armë”, duke rikujtuar edhe afatet e kësaj amnistie.

Top Channel