Investimi 1-miliardësh, reagon opozita. Tabaku: Aventurë korruptive

01/02/2017 00:00

Partia Demokratike e cilësoi projektin e qeverisë për të kontraktuar 1 miliard euro investime publike nga privatët një skemë të madhe korrupsioni.

Një skemë, “ku qeveria do të zgjedhe të preferuarit e vetë ashtu siç ka zgjedhur deri dje 14-15 kompani, që u ka dhënë çdo tender dhe çdo konçesion, dhe do të vendosë që t’u japë para të taksapaguesve shqiptarë, të cilat do t’i angazhojë dhe do të na i lërë barrë edhe neve nesër që do jemi në qeveri”, deklaron deputetja Jorida Tabaku.

Tabaku tha se përmes këtyre konçesioneve qeveria synon të mbulojë dështimin me investimet publike dhe politikën e saj fiskale.

“Qeveria në fakt, këto katër vite ka pasur një bilanc shumë negativ përsa i përket investimeve publike. Të gjitha këto që po premton, e gjithë lista e projekteve që ka premtuar që do jepen me konçesion, si shkolla, rrugë, etj, janë të gjitha të supozuara që do të ishin ndërtuar këto katër vite. Ndërkohë, kjo nuk ka ndodhur dhe paratë janë shpenzuar për diçka tjetër”, nënvizon Tabaku.

Por sipas Tabakut, kjo është një aventurë e rrezikshme për financat e shtetit.

“Ky është një borxh i fshehur që presupozon që të gjithë bllokun e investimeve për 15 vitet e ardhshme qeveria do ta bllokojë me këto investime që po jep me konçesion”, shton Tabaku.

Qeveria ka lajmëruar se në tre vitet e ardhshme do të kontraktojë 1 miliard euro investime publike nga biznesi privat, të cilat do të shlyhen me këste nga buxheti për 15 vjet.

Top Channel