Pengimi i myslimanëve, reagimet kundër Trump

31/01/2017 00:00

Nga lotët e një iraniano-amerikani që priste të vëllain në aeroport kur i mbërriti telefonata se do të kthehej mbrapsht, tek pasiguria që ka mbështjellë arabo-amerikanët apo procesi gjyqësor i ngritur nga organizata më e madhe myslimane në Amerikë.

Reagimet ndaj urdhrit ekzekutiv të emigracionit firmosur nga Donald Trump të premten nuk kanë të sosur. Vendimi për t’u ndaluar hyrjen refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane ka trazuar jetët e mjaft njerëzve të thjeshtë.

“Marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë cënuar tashmë. Por ne jemi njerëz të thjeshtë, nuk jemi qeveritarë.Nuk po bëjmë asgjë të keqe. Nëse Qeveria e Iranit bën diçka kundër kësaj qeverie, përgjegjësia nuk është e jona. Përse duhet të ndëshkohem unë për problemet e dikujt tjetër?! Ne nga Irani prandaj u larguam, që të mos përballeshim me gjëra të tilla”, thotë Hossein Koshbakhty, shtetas amerikan me origjinë iraniane.
 
“Vëllai im kishte tuberkuloz, e shoqja është shtatzënë ndaj dhe u detyrua ta shtynte fluturimin. Duhet të vinte në të njëjtën ditë me mua, por kjo nuk ndodhi dhe tani, me rregullat e reja në fuqi, mbase s’ka për të ardhur më fare”, deklaroi Ahmed Mohammed, refugjat sirian.

Urdhri i Trumpit prek dhe universitetet në shtete që kane votuar si demokratët, ashtu dhe republikanët.

“Mendoj se ky rregull ka prekur të gjithë komunitetin universitar. Kemi me dhjetëra e dhjetëra studentë nga shtatë vendet e përmendura, të cilët preken nga kjo situatë”, thotë Varun Soni, dekan i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

“Si mund të drejtohet një vend në këtë mënyrë?” pyeti i dëshpëruar gjatë fjalës së tij në Senat demokrati, Chuck Schumer. Protestat kanë vazhduar me përleshje në Columbus të Ohios, ndërsa demonstruesit nuk largohen nga aeroporti JFK i Nju Jorkut, ku të dielën, 48 vetë u bllokuan për shkak të urdhrit polemizues.

Tubime pati deri edhe përpara Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tokio të Japonisë, ku rreth 30 qytetarë amerikanë u mblodhën për të treguar se nuk pajtohen me këtë lloj politike.

Top Channel