Kullë vrojtimi në Dajt, Veliaj: Të parandalojmë dëmet ndaj fondit pyjor

30/01/2017 00:00

Në Tiranë u përuruan zyrat e Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, në sajë të një projekti që realizohet për herë të parë në vend dhe që ka për qëllim monitorimin dhe kontrollin e fondit pyjor.

Si pjesë e tij janë montuar disa kamera të teknologjisë së fundit, të cilat do të sinjalizojnë në kohë reale zjarret dhe vendndodhjen e tyre.

“Dua t’iu bëj me dije të gjithë qytetarëve se tashmë kemi vënë në funksion një kamera termike dhe një kullë vrojtimi në Malin e Dajtit, e cila përfshin rreth 300 km katrorë. Do të thotë se mundemi në kohë reale të shohim nëse dikush po dëmton pyjet. Kjo na jep mundësinë të nisim procedim ndaj shkelësve, të njoftojmë policinë, apo në rastet e zjarreve njoftimin e zjarrfikëseve”, tha Veliaj.

Bashkia Tiranë ka anuluar licencat për prerjen e pemëve në pyjet që administron dhe kjo teknologji i vjen në ndihmë jo vetëm zjarrfikësve për zjarret, por edhe rojeve pyjore për identifikimin e shkelësve të rregullave apo atyre që dëmtojnë pyjet, të cilët sipas Veliajt do të përballen me ligjin.

“Sistemi është një ndër sistemet më moderne. Ne arrijmë të kemi një qartësi deri në 20 km distancë, kështu që mesazhi është shumë i thjeshtë: Mos i dëmtoni pyjet! Nëse i dëmtoni, e sigurt që do të kapeni dhe kjo vlen si për ata që vënë zjarret, si për ata që presin pemë në mënyrë të paligjshme”, tha Veliaj.

Për herë të parë, Bashkia e Tiranës do të nisë edhe hipotekimin e fondit pyjor në pronësi të saj, që do të ndihmojë në evidentimin e problematikave që kanë të bëjnë me zënien e fondit pyjor dhe do t’i japë fund njëherë e mirë keqadministrimit të tij.

Top Channel