Gjobëvënia, dështon ballafaqimi mes Shullazit dhe dëshmitarit

27/01/2017 00:00

Për mbi tre orë, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ia doli mbanë të gjente një sallë të përshtatshme në të cilën dëshmitari i mbrojtur nga shteti të fliste ballë përballë me Emiliano Shullazin dhe katër të dyshuarit e tjerë.

Me një makinë civile, Ylvi Beqja u soll nga agjentët e zyrës që mbron dëshmitarët pak para seancës së caktuar. Por nga ora 12 deri në 15.20, deshmitari i vetëm i deritanishëm kundër Shullazit nuk mundi të rrëfente se si ishte gjobitur nga ky i fundit.

Mes debateve të mbrojtjes, që kërkoi përjashtimin e trupës gjyqësore, gjykata dha katër vendime të ndërmjetme për ndërrimin e sallave. Si fillim u anulua procesi brenda sallës ku të pandehurit mbaheshin në kafazin me xham.

Në sallën 2 u konstatua se nuk punonte dëgjimi, ndërsa në sallën 3, ku kafazi është prej hekuri, policia e burgjeve nuk mori përsipër mbrojtjen e dëshmitarit, çka solli rikthimin në sallën numër 1. Në këtë pikë, mbrojtja kërkoi përjashtimin e trupës gjyqësore.

“Salla ku u vendosëm fillimisht nuk garantonte komunikimin konfidencial mes avoketërve dhe të mbrojturve. Gjykata pranoi kërkesën tonë që ta ndërronim këtë sallë dhe pasi bëmë xhiro në të gjitha sallat, gjykata e revokoi vendimin”, deklaroi Vladimir Meçe, avokat i Emiliano Shullazit.

“Nga ana e prokurorisë nuk na është njoftuar zgjatja e afatit të hetimeve paraprake”, tha Alban Tabaku, avokat i Blerim Shullazit.

“Kërkuam përjashtimin e trupës gjykues. Megjithatë do të jemi sërish seancën tjetër si mbrojtës të klientëve tanë”, tha Alban Qafa, avokat i Gilmando Danit.

Në kohën kur 4 persona bashkë me Shullazin janë nën hetim prej muajsh, prokruoria këkoi të marrë në një seancë të veçantë dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur me argumentin se ekziston rreziku i largimit të tij, mund të ndryshojë deklaratat, apo mund t’i rrezikohet jeta.

Dëshmitari ka rrëfyer në prokurori se është gjobitur në tre raste nga Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Top Channel