Trump ndalon financimin për abortin, Holanda gati të krijojë fondin

26/01/2017 00:00

Qeveria holandeze ka njoftuar planet për ndihmesën e saj në ngritjen e një fondi ndërkombëtar për abortin, në mënyrë që të ndihmonte familjet anembanë botës, pasi presidenti amerikan Donald Trump ritheksoi politikën e ashtuquajtur “Mexico City”.

Të hënën, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv i njohur gjerësisht si “urdhri global i ndalimit të diskutimeve publike për një çështje të caktuar”, që ndalon organizatat ndërkombëtare joqeveritare që kryejnë ose nxisin abortimin të përfitojnë financim qeveritar nga Shtetet e Bashkuara.

Lëvizja e Trumpit ka irrituar shumë organizata bamirësie dhe politikanë anembanë globit, ndërsa zyrtarja holandeze, Lilianne Ploumen tha se mungesa e mbështetjes financiare do të çojë në “procedura të rrezikshme të fshehta dhe në një vdekshmëri më të lartë të nënave shtatzëna”.

“Dy vendim ka pasoja tejet të rënda, mbi të gjitha për të gjitha gratë e prekura prej tij, të cilat do të duhet të vendosin vet nëse do të kenë ose jo fëmijë, por edhe për bashkëshortët e tyre dhe fëmijët, sikurse edhe për shoqërinë në tërësi”, tha Ploumen, ministre e Holandës për Tregtinë e Jashtme dhe Bashkëpunimin për Zhvillim. “Të ndalosh abortin nuk redukton numrin e aborteve”.

Trump nënshkroi politikën që u soll fillimisht nga administrata e Reaganit. Presidenti Bill Clinton e shfuqizoi më vonë atë, por George Ë. Bush e rivendosi. Demokrati Barack Obama bëri të njëjtën gjë si paraardhësi i tij demokrat, duke e revokuar ligjin.

Gjatë viteve të Obamës president, ligjet amerikane ndalonin financimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve të abortit, por organizatat joqeveritare lejoheshin të merrnin financime nga programe të tjera, përfshi ato të lidhura me qasjen te kontraceptivët dhe kujdesi post-abort.

Sipas qeverisë holandeze, fondi i ri do t’u lejojë grave në vendet në zhvillim për të pasur qasje te kontraceptivët, informacionin e qartë dhe tek aborti. “Ne duhet të bëjmë sa më shumë të mundemi përballë kësaj goditjeje financiare, me një fond të gjerë ku qeveritë, kompanitë dhe organizatat e shoqërive civile mund të dhurojnë donacione”, tha Ploumen. “Në këtë mënyrë, gratë do të mund të vijojnë të marrin vendimet e tyre për trupin e tyre”.

Top Channel