Meksikë, Pena Nieto anulon vizitën në SHBA

26/01/2017 00:00

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto njoftoi këtë të enjte se kishte anuluar takimin e parashikuar me presidentin amerikan, Donald Trump, javën e ardhshme në Uashington, duke refuzuar vizitën pikërisht për shkak se kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi ngritjen e një muri në kufirin midis dy shteteve.

Lëvizja e presidentit meksikan sjellë në një nivel të ri tensionet që ishin krijuar prej muajsh mes dy vendeve. Pasi bëri thirrje për dialog, përballë kërcënimeve të Trumpit, Pena Nieto u gjunjëzua përballë presionit publik në Meksikë për t’iu përgjigjur më ashpër homologut të tij nga fqinji verior.

Të mërkurën, presidenti i ri amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të forcuar trupën deportuese të vendit dhe për nisjen e ndërtimit të murit në kufirin mes dy vendeve.

Nxitje e asaj që u perceptua si fyerje, ishte edhe koha e nënshkrimit të urdhrit. Ai erdhi në ditën e parë të bisedimeve mes zyrtarëve të lartë meksikanë me homologët e tyre në Uashington, dhe vetëm pak ditë përpara takimit mes dy presidentëve.

Veprimi ishte i mjaftueshëm për të nxitur Pena Nieton e Meksikës të niste diskutimet për anulimin e vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë, sipas zyrtarëve meksikanë. Në një videomesazh të publikuar në “Twitter”, mesnatën e së mërkurës, Pena Nieto ripërsëriti angazhimin e tij për të mbrojtur interesat e Meksikës dhe popullit meksikan, si dhe qortoi lëvizjen e Uashingtonit për të vijuar me ngritjen e murit.

“Ndiej keqardhje dhe e dënoj vendimin e SHBA-ve për të vazhduar me ndërtimin e murit, që prej vitesh tashmë, në vend që të na bashkonin, do të na ndajë”, tha ai. Për meksikanët ka shumë pak rëndësi nëse urdhri i Trumpit do të marrë miratimin e Kongresit, apo financimet e nevojshme për ta përmbushur atë.

Top Channel