Punësimi, rreth 300 të rinj nga diaspora do hyjnë në administratë

26/01/2017 00:00

Në vitin e dytë të zbatimit të Programit Kombëtar të Punësimit, administrata publike në Shqipëri dhe Kosovë ka punësuar 300 të rinj, 200 në Shqipëri dhe 100 në Kosovë. Bëhet fjalë për ata, që kanë kryer praktikat e punës në vitin 2016 dhe që sot kanë kontratë 1-vjeçare pune.

Numri i të punësuarve për vitin 2017 do të dyfishohet, duke e çuar numrin e të rinjve të punësuar në 400.

“Përmbushim sot një nga ato angazhime të rëndësishme të qeverisë. Kemi sot një administratë, që është e gatshme për sfidat e integrimit dhe hapjes së negociatave”, tha Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Hapja e administratës publike për të rinjtë e diasporës është një praktikë e re e suksesshme e aplikuar vjet, projekt ku u përfshinë mbi 3.000 të rinj. Por risi është fakti se këtë vit, për herë të parë është nënshkruar marrëveshje edhe me 14 kompani private.

“Në vitin e parë të programit morën pjesë 700 të rinj të diplomuar, prej të cilëve, 200 më të mirët u punësuan”, tha Niko Peleshi, zëvendëskryeministër.

Në vitin 2016 aplikuan mbi 2.600 kandidatë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë ndjekur praktikat profesionale në Administraten Publike dhe në biznese.

“Thirrja e tretë, që hapet brenda tremujorit të parë të vitit 2017, do të ofrojë mundësi për të përfituar praktika pune dhe aftësim profesional për 2.000 vende. OSHEE ka në plan të përfshijë si praktikantë në vitin e tretë të programit 177 të rinj dhe në përfundim të tij të sigurojë për më të mirët prej tyre kontrata njëvjeçare pune, për 84 praktikantë”, shtoi më tej zv.kryeministri Peleshi.

Top Channel