“Kush nuk e do ditën kombëtare, të zhduket”

26/01/2017 00:00

Zëvendëskryeministri i Australisë, Barnaby Joyce kritikoi njerëzit që kanë bërë thirrje për ndryshimin e ditës kombëtare, duke thënë se ata nuk duhet të dalin në publik.

Dita e Australisë festohet më 26 janar, ditë që shënon mbërritjen e flotës së parë britanike me të dënuar në vitin 1788. Disa njerëz mendojnë se kjo datë është nisja e shpronësimit të indigjenevë dhe nuk duhet festuar. Si pasojë, në disa qytete australiane zhvillohen protesta në atë që konsiderohet si dita e pushtimit. Por, në një intervistë për mediat, zv/kryeministri Joyce tha se është lodhur nga këta njerëz që duan t’i bëjnë të tjerët të ndihen në faj.

“Atyre nuk i pëlqejnë Krishtlindjet, nuk i pëlqen Dita e Australisë, janë njerëz të dëshpëruar dhe duhet të mos dalin në publik”, deklaroi Joyce. Madje, ai këshilloi ata që nuk e duan Ditën e Australisë që të mos e festojnë, të shkojnë në punë apo të bëjnë diçka tjetër.

Kryesisht, kjo ditë në Australi festohet mjaft bukur me parada, fishekzjarre, madje edhe gjëmime topash. Edhe komunitetet aborigjene janë pjesë e këtyre festimeve dhe shfaqjet e tyre unike i japin më shumë ngjyrë ceremoninve që zhvillohen. Sigurisht që nuk kanë munguar as protesta, pasi një pjesë e australianëve mendojnë se dita kombëtare është një fyerje për australianët aborigjenë që ishin zotët e Australisë para mbërritjes së britanikëve.

Top Channel