Klosi, kërkesë për njohjen e pensioneve në Britani

24/01/2017 00:00

Nga Londra, ku mori pjesë në punimet e Forumit të nivelit të lartë për Edukimin, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se Shqipëria është marrë model për përpjekjet e mëdha që ka bërë në fuqizimin e edukimit profesional, për rritjen e interesit nga të rinjtë për t’u kualifikuar, si dhe për rënien e shifrave të papunësisë përmes këtij mekanizmi.

Duke folur përpara kolegëve nga e gjithë bota, mbi pikëpamjet dhe idetë për sfidën e përbashkët të zhvillimit të arsimit, Klosi informoi mbi vizionin dhe rëndësinë që i ka dhënë qeveria e majtë e Shqipërisë arsimimit, për t’i lidhur të rinjtë më shpejt me tregun e punës.

“Qeveria shqiptare nuk e sheh edukimin profesional si një edukim më shumë, por si një mekanizëm të rritjes ekonomike”, ka thënë Klosi, duke njohur të pranishmit me shifrat konkrete të nxënësve që kanë preferuar të ndjekin arsimin profesional.

Në Londër, ministri Klosi u prit edhe nga Sekretari britanik i Emigracionit, Robert Goodwill, të cilin e njohu me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria “Rama”. Mes tyre është folur edhe mbi komunitetin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe, duke u fokusuar te problematika e dokumentacionit të qindra shqiptarëve që jetojnë në ishull, për të cilën u shpreh vullneti për një zgjidhje të shpejtë.

Nga ana e tij, Sekretari Goodwill vlerësoi dhe përgëzoi ministrin Klosi për zhvillimet pozitive në Shqipëri dhe progresin e bërë në këto 3 vite, duke përshëndetur në veçanti për Reformën kurajoze në Drejtësi.

Një vend të veçantë në bisedime zuri edhe kërkesa e ministrit shqiptar për arritjen e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore, e njohur ndryshe si marrëveshja e pensioneve, që do t’u vijë në ndihmë mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët vitet e punës i kanë të ndara mes Shqipërisë dhe Anglisë.

Në fund, Klosi e ftoi sekretarin Goodwill për një vizitë zyrtare në Shqipëri, që do të ishte e dyta e rëndësishme pas asaj të Sekretarit britanik të Mbrojtjes, pak muaj më parë. Goodwill mirëpriti ftesën dhe e vlerësoi Shqipërinë si partner strategjik në rajon.

Top Channel