Trump: Ju që protestoni, pse nuk votuat

22/01/2017 00:00

“I pashë protestat, por kam përshtypjen se ne patëm zgjedhje. Përse nuk votuan këta njerëz”. Ky ishte komenti i parë publik i presidentit amerikan Donald Trump, të dielën, pas marshimit të grave në Uashington që sipas mediave, tërhoqi turma më të mëdha nga ato që një ditë më parë dolën për të ndjekur ceremoninë e betimit të Trumpit në shkallët e Kongresit amerikan.

Një shifër zyrtare për pjesmarrjen në protestë, nuk ka, por qartësisht, bëhet fjalë për shumë më tepër se rreth 200 mijë marshuesit që ishin parashikuar nga organizatorët. Qindra e mijëra gra mbushën rrugët e qyteteve më të mëdha amerikane, për të shpalosur një valë të paprecedentë protestash kundër presidentit të ri, duke shënjestruar dhe denoncuar Donald Trump, një ditë pas inaugurimit.

Gratë aktiviste, të fyera nga retorikat e Trumpit gjatë fushatës elektorale dhe sjellja që sipas tyre është shumë maskiliste, kryesuan marshimet në Shtetet e bashkuara por edhe në vende të tjera të botës. Më herët të dielën, presidenti postoi edhe dy mesazhe në twiter, që kishin të bënin me numrin e shikuesve të inaugurimit dhe vizitën në zyrat e CIA-s.

Disa media kanë hedhur poshtë pretendimin e Donald Trump, sipas të cilit, shikueshmëria e inaugurimit të tij, ishte 31 milionë.

Top Channel