Palmira, të tjera shkatërrime nga militantët e ISIS

20/01/2017 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë shkatërruar një nga monumentet më të famshme të qytetit të lashtë të Palmirës, Tetrapilonin dhe fasadën e teatrit romak. Qeveria siriane humbi kontrollin e Palmirës në dhjetor, në të dytën herë që grupi xhihadist hyri dhe shkatërroi zonën e shpallur pjesë e trashëgimisë botërore nga “UNESCO”, në konfliktin gjashtëvjeçar në Siri.

“Tetrapiloni” është pika ku bashkohet kolonada e madhe e Palmirës. Ajo përfshin një platformë të ngritur prej guri, me një strukturë mbajtëse prej 4 kolonash, pozicionuar në çdo cep të tij. Imazhet satelitore të publikuara nga shefi i Antikiteteve në Siri, Maamoun Abdulkarim, tregonin shkatërrimin e tij me vetëm 4 prej 16 kolonave që mbeteshin në këmbë, ndërsa platforma e gurtë duket e mbuluar nga rrënojat.

Imazhet tregonin edhe dëme të konsiderueshme në monumentet në qendër të teatrit romak, me disa kulla guri të shkatërruara tërësisht. Nëse Shteti Islamik mbetet në kontrollin e Palmirës, – tha Abdulkarim, – atëherë do të ketë edhe më shumë shkatërrim. Sipas tij, vala e fundit e shkatërrimit të antikiteteve ka ndodhur mes 26 dhjetorit dhe 10 janarit.

Shteti Islamik kishte marrë më herët kontrollin e Palmirës në vitin 2015 dhe e mbajti atë për 10 muaj, derisa forcat qeveritare siriane të mbështetura nga milicitë aleate dhe fuqia ajrore ruse, i dëbuan xhihadistët nga qyteti në mars.

Gjatë kësaj periudhe, Shteti Islamik ka shkatërruar edhe të tjera monumente, si harku monumental 1.800-vjeçar i Palmirës. Qyteti, i njohur në arabisht si Tadmur, ndodhet në kryqëzimet e botës antike.

Top Channel