Basha në Uashington, takime me bashkëpunëtorë të Trump

20/01/2017 00:00

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte i ftuar në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni, Heritage, për inaugurimin e Presidentit Trump, kreu i opozitës Lulzim Basha është takuar me Personalitete të larta politike, bashkëpunëtorë të Presidentit Trump, anëtarë të Kongresit dhe Senatit amerikan.

Basha u takua me Newt Gingrich, një ndër këshilltarët më të afërt të Presidentit Trump. Zgjedhjet në SHBA, tha zoti Basha, janë një model frymëzimi edhe për Shqipërinë, për bashkimin e qytetarëve me besimin te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund të mposhtet nga asnjë aleance kundër interesit qytetar.

Lideri i opozitës Lulzim Basha ishte i ftuar në një drekë pune nga Kongresmeni dhe kryetari i Komisionit për Europën, Dana Rohrabacher, një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri dhe mbështetës i madh vendit tonë.

Kryetari i opozitës i shprehu kongresmenit  nevojën e madhe që ka Shqipëria për mbështetjen e SHBA, në një kohë, sipas tij, kur standardet demokratike janë cenuar rëndë.

“Basha mori në këtë takim premtimin për angazhimin personal të kongresmenit për të ndihmuar në garantimin e zgjedhjeve te lira dhe të ndershme, zbatimin e standardeve demokratike, dhe në mbështetje të reformave ekonomike dhe qeverisëse që do të ndërmarrë Partia Demokratike në pushtet. Në takimin me Presidentin e Fondacionit Heritage, Senatorin Jim DeMint, u diskutua për reformat për çlirimin e ekonomisë shqiptare nga monopolet, oligopolet e klientelizmi dhe krijimin e një ekonomie të vërtetë tregu. Presidenti DeMint e siguroi z.Basha se në këto përpjekje, PD do të ketë ekspertizën dhe mbështetjen e Fondacionit Heritage”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Top Channel