Davos, Biden sulmon Rusinë: Po përpiqet të rrëzojë rendin liberal

18/01/2017 00:00

Joe Biden i ka bërë thirrje botës të mbrojë “rendin ndërkombëtar liberal” përballë një Rusie agresive dhe rritjes së populizmit. Zv.presidenti amerikan në largim paralajmëroi për “përpjekje të mëtejshme të Rusisë për t’u përzierë në proceset demokratike”, gjatë fjalimit që mbajti në kuadër të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos të Zvicrës.

Biden tha se Uashingtoni duhet të punojë me çdo kusht me Europën për të qëndruar përballë presidentit rus, Vladimir Putin. Paralajmërimi i tij vjen vetëm dy ditë përpara betimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Manjati i pasurive të paluajtshme ka lënë të kuptohet se do të mbajë qëndrime më pajtuese me Putinin dhe ka parashikuar shpërbërjen e Bashkimit Europian, teksa ka mbështetur publikisht daljen e Britanisë nga unioni.

Fjalimi i Biden, edhe pse aty nuk u përmend fare emri i Trumpit, përfshinte presidentin e ardhshëm amerikan, duke theksuar “vullnetin e rrezikshëm të tij për t’u kthyer drejt politikave dritëshkurtra”, megjithatë, objektivi i qartë i zv.presidentit ishte Putin.

“Nën drejtimin e presidentit Putin, Rusia është duke punuar me çdo mjet në dispozicionin e tyre për të dëmtuar çdo skaj të projektit europian, për të testuar linjat e fajit të kombeve të Perëndimit dhe për t’u rikthyer te politikat e përcaktuara nga sferat e ndikimit”, tha Biden përpara udhëheqësve të shteteve, shefave ekzekutivë dhe bankierëve, gjatë kësaj të mërkure. “Ne e shohim këtë në agresionin e shfaqur kundër fqinjëve të saj, e shohim në përdorimin mbarëbotëror të propagandës dhe fushatave të informimeve të rreme”.

“Duke qenë se shumë vende të Europës do të zhvillojnë zgjedhje këtë vit, ne duhet të presim përpjekje të mëtejshme nga Rusia për t’u përzierë me proceset demokratike. Do të ndodhë sërish, e këtë iua premtoj. E sërish qëllimi do të jetë i qartë: të rrëzohet rendi ndërkombëtar liberal”.

Të martën, presidenti i Kinës, Xi Jinping tha se nuk ka “baza” për fajësimin e globalizimit ekonomik për problemet me të cilat po përballet bota, duke thënë se krizat financiare janë shkaktuar nga kërkesat e tepërta për fitime. Edhe komentet e tij u lexuan si një “shuplakë” ndaj Trumpit, i cili ka premtuar një sjellje më proteksioniste.

Top Channel