Rikthehet dëbora, vështirësi në disa akse

16/01/2017 00:00

Situata e rënduar e motit u zhvendos të hënën nga veriu në jug. Dëbora që nuk ka reshtur se rëni gjatë gjithë ditës në jug të vendit pushtoi të gjithë zonën turistike të Llogarasë, aksi rrugor nacional, i cili lidh Vlorën me Himarën.

Reshjet e dendura të dëborës e kanë bërë këtë aks të jetë tejet i vështirë për t’u kaluar edhe me zinxhirë. Në një gjatësi prej 15 km nga fshati Dukat deri në Palasë, dëbora arrin deri në 40-50 centimetra, që sjell problem në lëvizje.

Policia lokale ngriti  dy postblloqe, një në fshatin Dukat dhe një në Palasë që nuk lejon automjetet pa zinxhirë të kalojne. Pavarësisht punës së borëpastrueseve, reshjet e dendura e bëjnë joefektive punën e tyre.

Zona të prekura mbeten rrethet e Kukësit, Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës. Por gjatë së hënës në rrugët e veriut të vendit ka prani të pakta të ngricave dhe po punohet për pastrimin dhe kriposjen e tyre.

Më problematike paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në disa akse, përfshi
Shkodër – Shllak – Temal, Tamarë – Vermosh, Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë dhe Shkodër – Bregu Lumit – Theth. Ndërsa në Kukës vështirësi paraqitet vetëm në aksin Ura e Zapotit-Shishtavec.

Në Dibër, aksi rrugor Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar dhe me zinxhirë lëvizet në akset Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Ura e Qytezës – Zerqan dhe  Ura e Cerenecit – Steblevë.

Kurse në Qarkun juglindor të Korçës vështirësi në qarkullim paraqet aksi Korçë – Boboshticë  – Dardhë dhe pjesërisht ai Korçë-Ersekë.

Punonjësit e emergjencave civile janë të shpërndarë në terren, ndërsa kryeministri Rama zgjodhi të flasë për situatën në qendrën e shpërndarjes së ndihmave në Tamarë të Shkodrës.

“Ka akoma vështirësi jo të vogla, por ajo që është kryesore është që do vazhdojmë hap pas hapi, të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë  gjatë gjithë kësaj periudhe. Pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga moti, ka qenë viti me më pak ndërprerje të energjisë elektrikë në 25 vjet, si pasojë e punës së jashtëzakonshme që ka bërë OSHEE, sidomos  në zonat më të vështira”, tha ai.

Top Channel