I ftohti “nxeh” çmimet. Perimet, 50% më të shtrenjta

16/01/2017 00:00

I ftohti ekstrem që ka shkatërruar serat bujqësore ka sjellë rritje të çmimeve për perimet dhe zarzavatet deri në 50 për qind brenda pak ditëve.

“Sallata e spinaqi janë rritur. Sallata ka qenë 100-150 lekë, tani është 250 lekë kilogrami. Me 220 e merr atje në burim, si pasojë e ngricave”, thotë Arif Dafku, tregtar.

Sipas tregtarëve, prodhimi vendas është ulur në mënyrë drastike, duke bërë që çmimet për një sërë artikujsh të rriten me ritme të shpejta.

“Nuk ka më mall vendi, shumë keq me mall vendi nga ngricat”, thotë një tjetër tregtar.

“Thuajse 90 për qind e serave janë prishur të gjithë. Ai mall që ka qenë është prishur, për tjetrin kismet”, thotë tregtari Dafku.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, i ftohti ka dëmtuar mbi 200 hektarë sera, kryesisht me perimet e stinës, por edhe kultura të tjera.

Top Channel