Bulqizë, situatë e rënduar për shkak të reshjeve

16/01/2017 00:00

Reshjet e dëborës, të shoqëruara me erëra të forta dhe temperatura të ulëta deri në minus 10 gradë kanë bërë që të rritet numri i fshatrave të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve.

Autoritetet lokale njoftojnë se ka fshatra të thella të bllokuara në njësitë administrative Zerqan, Ostren, Trebisht dhe Martanesh, ku trashësia e dëborës ka arritur mbi 60 cm.

Probleme gjatë natës dhe paraditen e sotme ka patur edhe në rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi, e cila kalohet vetëm me zinxhirë për shkak të ngricave dhe dëborës.

Situatë mjaft e rënduar është verifikuar edhe në vendin e quajtur “Pishat”, në Fushë-Bulqizë, dhe tek Qafa e Buallit, ku rruga gjatë paradites së sotme ka qenë mjaft e vështirë për kalimin e automjeteve, pasi përveç reshjeve të shoqëruara me erë të fortë ka edhe prani të akullit.

Më shumë vështërsi për qarkullimin ka patur në akset Qafë e Buallit-Krastë dhe Ura e Çerenecit-Librazhd, ku kalimi është bërë vetëm me zinxhirë dhe me shumë vështirësi.

Ndërkohë, probleme janë verifikuar edhe në punimet në minierën e kromit, si në Bulqizë ashtu dhe në Martanesh e Tërnovë. Gjithashtu, për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve ka patur mungesë të theksuar të nxënësve në të gjitha shkollat e rrethit të Bulqizës.

Top Channel