Krujë, aty ku zjarrfikësja vjen në ndihmë vetëm me një automjet

13/01/2017 00:00

Zjarrfikësia e Krujës me një automjet të paliçensuar dhe me një tjetër të amortizuar i shërben qytetit dhe mbi 40 fshatrave të Fushë-Krujës dhe Mamurrasit.

Zjarrëfikësit përdorin para nga xhepi për mirëmbajtjen e automjetit të vitit ’70. Edhe mbrëmjen e kësaj të premteje emisioni “Fiks Fare” vazhdoi me temën e Shërbimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Zjarri.

Situata e vështirë në të cilën ndodhet ky shërbim kap pothuajse të gjitha qytetet. Pas Prrenjasit, Librazhdit dhe Elbasanit gazetarët udhëtuan drejt qytetit të Krujës. Edhe këtu situata është po e njëjtë, e lënë në mëshirë të fatit.

Tre punonjësit e turnit kanë në dispozicion një automjet me ujë dhe për aksidente dhe një tjetër të paliçensuar. Me këtë infrastrukturë i shërbejnë jo vetëm Krujës por edhe Fushë-Krujës e Mamurrasit.

Automjeti me ujë i vitit 1970 është amortizuar totalisht. Shefi i turnit të Zjarrfikëses tregon se edhe pse automjetit i është bërë shërbim herë pas herë nga vetë punonjësit, sërish ai ka probleme.

“Nuk ka investime fare edhe shërbimin e ka bërë shefi me paratë e veta. Automjeti do dy-tre minuta kohë të ngrohet pastaj të lëvizë, por zjarri nuk fal. Ndërsa automjeti i aksidenteve është i pa regjistruar. Na i kanë dhuruar vite më parë, është pa letra por ne e përdorim nga halli për t’i ardhur në ndihmë njerëzve”, tregon ai.

Oficeri shpjegon se probleme më të mëdha hasin me infrastrukturën kur duhet të ndërhyjnë në fshatra. Për këtë shkak ata vonohen për të dhënë ndihmën e shpejtë. Me uniforma janë pajisur që në vitin 2007 e deri më sot kanë po të njëjtat.

Sistemi i ndërlidhjes ka gjithashtu të njëjtin fat, i amortizuar dhe dalë jashtë funksionit, kështu që zgjidhja e vetme për të komunikuar janë celularët. Në Bashkinë e Krujës, e cila prej një viti ka në ngarkim këtë shërbim, nënkryetari Gjon Bardhi e pranon situatën e vështirë.

“Jemi në dijeni të situatës, po këto janë makina të vjetra të cilat kanë kosto të lartë edhe për t’u regjistruar. Kjo. pasi janë të një vit prodhimi shumë të vjetër dhe gjobat ndër vite shume të larta”, shprehet ai.

Ai thotë se tashmë bashkia po planifikon buxhetin. “Ne jemi në fazën e bërjes së buxhetit. Do të shohim një mundësi për të investuar në këtë shërbim. Gjithashtu do të mundohemi të gjejmë edhe donatorë”, thotë Bardhi.

Përsa i përket automjetit të paliçencuar, Bardhi sugjeron të mos përdoret pasi sipas tij, është shkelje ligjore. “Ky mjet, mesa di unë, nuk ka pasur synime të përdorej. Është e vërtetë që ligjet janë ligje, nuk ka pasur justifikime për t’u përdorur. Por, siç e thashë edhe më lart, është kosto shumë e madhe regjistrimi i tij. Nuk jam në dijeni që përdoret, por do sugjeroja të mos përdorej” përfundon Bardhi.

Edhe Zjarrfikësja e Shkodrës ka 10 vjet pa iu bërë shërbim automjeteve. Ajo mbahet “në këmbë” me pesë automjete të amortizuara, njëra prej tyre e paliçencuar.

Mjetet në mungesë të fondeve kanë mbi dhjetë vjet pa ju nënshtruar shërbimeve në servis. Shefi i Emergjencave Civile, Ridvan Bushati ka treguar për “Fiks Fare”, sakrificat që punonjësit bëjnë për ta mbajtur në këmbë këtë sektor.

“Ky shërbim është lënë prej kohësh në harresë. Ka mbi dhjetë vjet që automjeteve të amortizuara të viteve 1970 nuk i janë bërë asnjë lloj shërbimi. Vetë punonjësit janë munduar t’i rregullojnë individualisht”, shprehet ai.

Stacioni Zjarrfikës i Shkodrës mbulon jo vetëm Bashkinë e Shkodrës por edhe atë të Vaut të Dejës. Sipas Bushatit, veç problemit të infrastrukturës ky shërbim, i cili aktualisht mbulohet nga 24 zjarrfikës, kërkon minimalisht 100 punonjës.

Sipas tij, mungesa e stafit ka bërë që punonjësit aktualë të punojnë mbi tetë orë. Ata nuk marrin kurrë leje të zakonshme dhe kanë vështirësi në marrjen e raportit mjekësor.

“Punonjësit punojnë dhjetë orë në ditë. Orët shtesë nuk paguhen. Ata gjithashtu nuk marrin leje të zakonshme asnjëherë dhe në raste kur janë sëmurë duhet patjetër të zëvendësohen, ndryshe nuk është e mundur”, tregon Bushati.

Top Channel