PD: Rama, veto votimit elektronik në zgjedhje

13/01/2017 00:00

Partia Demokratike ka deklaruar se kryeministri Rama vendosi veton në Komisionin e Reformës zgjedhore kundër votimit elektronik, “duke vrarë kështu reformën zgjedhore”.

“Me veton e sotme Partia Socialiste praktikisht ka vrarë reformën zgjedhore. Votimi elektronik, indentifikimi elektronik i zgjedhësve me shenjën e gishtit dhe numërimi i votave në mënyrë elektronike është thelbi i reformës zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Oerd Bylykbashi pas mbledhjes së komisionit.

Sipas tij, votimi dhe numërimi elektronik largon militantët partiakë nga procesi i numërimit dhe rezultati i zgjedhjeve del menjëherë dhe i pamanipuluar.

“Votimi dhe identifikimi elektronik i votuesve me shenjat e gishtit shmang votimin me karta falso, votimin disa herë të të njëjtëve persona, apo blerjen e kartave te identitetit. Votimi elektronik bën të mundur që çdokush të votojë dhe askush të mos votojë në emër të dikujt tjetër”, tha Bylykbashi.

Ai ka theksuar se, numërimi elektronik shmang futjen e duarve në kutinë e votave, presionin dhe blerjen që i bëhet votës përmes mjeteve të identifikimit.

“Ky është thelbi i reformës zgjedhore, së bashku me dekriminalizimin dhe financimin e partive. Pa votimin elektronik nuk ka reformë zgjedhore, ajo kthehet në një farsë”, tha Bylykbashi.

Top Channel