Ndotja mbi normat, “Fiat” akuzohet nga autoritetet amerikane

13/01/2017 00:00

Një agjenci amerikane për mbrojtjen e ambientit akuzoi kompaninë “Fiat Chrysler” se ka përdorur një program kompjuterik, që lejon ndotje mbi normat, te më shumë se 100 mijë makina të shitura në SHBA që prej vitit 2014.

Sipas autoriteteve amerikane, kjo u zbulua gjatë hetimeve që po kryheshin për kompaninë “Volkswagen”, për një akuzë të ngjashme. Zyrtarët amerikanë besojnë se programi kompjuterik, të cilin “Fiat” nuk ka treguar se e kishte instaluar në makina, bën të mundur që këto të fundit të kalojnë normat e ndotjes duke shkelur ligjin.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për 104 mijë fuoristrada “Jeep Grand Cherokee” dhe 1.500 kamionçina “Dodge Ram”, që të gjitha me karburant “Diesel”.

Drejtues të agjencisë për mbrojtjen e ambientit thanë se, fakti që “Fiat” nuk tregoi asgjë për programin në fjalë është shkelje e rëndë e ligjit dhe po hetohet, nëse ai është një mjet për të mashtruar testet për ndotjen.

“Fiat” ndërkohë reagoi ashpër ndaj komenteve zyrtare, duke thënë se ishte i zhgënjyer nga to. Drejtues të lartë të “Fiat”-it thanë se makinat e prodhuara respektojnë të gjitha standardet dhe se do ta vërtetojë se nuk bëhet fjalë për asnjë mashtrim.

Të alarmuar nga hetimi, autoritetet britanike u kanë kërkuar homologëve të tyre amerikanë, që t’u japin detaje për situatën, pasi makinat në fjalë janë shitur edhe në Britani. Mediet amerikane shkruajnë se, nëse vërtetohet që “Fiat”-i ka mashtruar testet e ndotjes, mund të gjobitet me mbi 44 mijë dollarë për çdo makinë.

Top Channel