Raporti kundër Trump, McCain: Ia dhashë unë FBI-së

12/01/2017 00:00

Armiku i betuar i Donald Trumpit, John McCain pranoi të mërkurën se ishte ai, që ka kaluar dosjen me pretendimet për një komplot shantazhi nga ana e Rusisë për presidentin e zgjedhur, duke thënë se kishte bërë atë që do të bënte çdo qytetar.

McCain, një republikan anti-Trump, që është distancuar hapur nga fushata e tij javë para zgjedhjeve, e paraqet veten si i pafajshëm dhe pjesëtar i shqetësuar i publikut, ndërsa justifikon veprimin e tij. Ai pretendon se nuk kishte asnjë ide, nëse raporti ishte i vërtetë apo jo, por besonte se FBI-ja duhet ta kishte atë për shkak të ndjeshmërisë.

“Unë bëra atë që do të bënte çdo qytetar. Mora informacione të ndjeshme dhe ia dorëzova FBI-së”, tha ai për CNN, rrjetin që e transmetoi i pari lajmin e ekzistencës së këtij dokumenti, para se ai të botohej i plotë nga “Buzzfeed”.

Republikani, që humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, nuk tregon sesi e ka siguruar raportin, por mundet që ai t’i jetë dhënë nga një ish-ambasador britanik në Moskë. Raporti thuhet se është përpiluar nga një ish-agjent britanik, që ishte punësuar nga një kompani e lidhur me opozitën në Uashington.

Në shënjestër ishin lidhjet e biznesit të Trumpit, u zbuluan disa pika të dobëta në lidhje me rusët dhe bizneset e tij në Rusi, e në përfundim ish-agjenti i “MI6” doli edhe me informacionet shtesë nga burimet e tij ruse.

I shqetësuar nga pasojat, raporti i ishte dorëzuar FBI-së, ndërsa në mënyrë të pavarur, ish-ambasadori britanik në Rusi ia dorëzoi atë senatorit të Arizonës, John McCain. Identiteti i ambasadorit britanik nuk është bërë i ditur, por i vetmi ish-ambasador në Moskë që mbetet në shërbim të qeverisë britanike është Sir Tim Barrow, i emëruar tani ambasador britanik në BE.

Ndërsa për ish-agjentin britanik thuhet se është Christopher Steele, që drejton një kompani zbulimi me qendër në Londër. Ai besohet se është larguar nga shtëpia e tij në Berkshire dhe tani po fshihet. Steele raportohet se ka kaluar disa vite duke punuar në Rusi dhe Francë nën petkun diplomatik, ndërkohë që ai i ka siguruar FBI-së edhe infromacionet mbi akuzat për korrupsion në FIFA, organin që qeveris futbollin botëror.

Top Channel